ShowBizzz

Sulmi në Iran, vdekja e Hanyieh, efekti martir: Çfarë ndodh tani në Lindjen e Mesme

Dy goditje për “çmimin” e njërës: Izraeli jo vetëm që eleminoi liderin e Hamasit Ismail Haniyeh, por e bëri në shtëpinë e armikut të tij të betuar, Iranit. Dhe jo në një vend dosido, por në kryeqytetin Teheran, ku ky i fundit kishte shkuar për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri Masoud Pezeshkian.

E mbi të gjitha, në të njëjtat orë ku kemi qenë dëshmitarë të paralajmërimeve për një përshkallëzim të ri mes Tel Avivit dhe Hezbollahut. Një moment Pasigurie, gjatë të cilit administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden është përpjekur të shtyjë Hamasin dhe Izraelin që të pranojnë të paktën një armëpushim të përkohshëm dhe lirimin e pengjeve. Është e vështirë, në mos e pamundur, të imagjinohet se çfarë mund të ndodhë tani.

Në frontin e Lindjes së Mesme, Turqia u pozicionua menjëherë pas dënimit me forcë të asaj që e përkufizoi si një “vrasje mizore”, duke ia atribuar qeverisë izraelite. Për më tepër, presidenti Rexhep Tajip Erdogan e ka pritur rregullisht Haniyeh-un. Një deklaratë e Ministrisë së Jashtme tha se vrasja tregoi se qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu “nuk ka ndërmend të arrijë paqen” dhe se “sulmi kishte për qëllim përshkallëzimin e konfliktit të Gazës në një shkallë rajonale”.

Por frika po rritet edhe në Uashington: Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, deklaroi se, pavarësisht ngjarjeve të 24 orëve të fundit, Shtetet e Bashkuara shpresojnë se Izraeli do të jetë në gjendje të arrijë një zgjidhje diplomatike. “Unë nuk mendoj se lufta është e pashmangshme,” u tha ai gazetarëve në Manila, Filipine. “Mendoj se ka gjithmonë hapësirë ​​dhe mundësi për diplomaci dhe do të dëshiroja që palët t’i ndjekin këto mundësi.” Në fazën më kritike, tek po shkohet drejt zgjedhjeve presidenciale në nëntor, Uashingtoni nuk mund të përballojë një konflikt jashtë vendit, megjithëse vazhdon të konfirmojë angazhimin e tij përkrah aleatit të vet, Izraelit. Fakti që ende nuk ka pasur një reagim ndaj lajmit nga Shtëpia e Bardhë, në fakt është një sinjal mjaft i paqartë.

Nga Byroja Politike Palestineze, dënimi është pothuajse unanim: zyrtari i lartë palestinez Hussein al-Sheikh, në Bregun Perëndimor, dënoi vrasjen e Haniyeh si një “akt burracak”: “Ne denoncojmë dhe dënojmë ashpër vrasjen e kreut të Byrosë Politike, liderit kombëtar, Ismail Haniyeh, shkroi kreu i çështjeve civile të Autoritetit Palestinez në X. Zyrtari i lartë i Hamasit Moussa Abu Marzouk shtoi se vrasja e Haniyeh nuk do të mbetet pa përgjigje. Kësaj i shtohen thirrjet për një grevë të përgjithshme dhe protesta masive në Bregun Perëndimor, duke përfshirë edhe në Ramallah dhe Nablus, pas lajmit për vrasjen e Ismail Haniyeh. Për më tepër, Al Jazeera ka raportuar se kanë rinisur thirrjet për mobilizim nga “grupet e rezistencës palestineze”.

Kjo lëvizje e Izraelit, tani tmerron edhe familjet e pengjeve, të cilët kanë frikë edhe nga rrahjet më të vogla të krahëve “të fluturës”, që mund të prishin ekuilibrat delikate ose linjat e komunikimit, kaq të vështira për t’u vendosur në javët e fundit. E gjitha krijon presion të madh mbi qeverinë e Netanyahut, e cila tashmë është në vështirësi, por mbi të gjitha rrezikon të bëjë që Hamasi të tërhiqet. “Për liderët e Hamasit, vendi i duhur është ferri, dhe ne jemi të gjithë që ata të paguajnë për veprimet e tyre, por ne nuk mund të lejojmë që vrasja e Haniyeh t’i japë fund kërkimit për një marrëveshje dhe të dënojë me vdekje njerëzit tanë të dashur që mbahen peng”. Kjo deklaratë, e cituar nga Haaretz, është bërë nga Einav Zangauker, babai i Matanit, i mbajtur peng në Gaza nga Hamasi që nga 7 tetori. Duke iu drejtuar Netanyahut, babai i pengut përsëriti se “përgjegjësia e tij është para së gjithash të kthejë” pengjet në familjet e tyre, “duke arritur një marrëveshje, pa kushte të reja apo pengesa të panevojshme”. / il giornale – bota.al