Euro nuk e ka prekur fundin… tatëpjeta do të vijojë. Pasi shkeli “vijën e radhës të kuqe”, atë të 92 lekëve, valuta europiane pritet të rrokulliset edhe më tej. Në mos deri në fund të këtij viti, brenda pranverës së ardhshme ekspertët e parashikojnë euron nën 90 lekë.
Ergis Sefa, ekspert për ekonominë, shprehet: “Nisur nga sinjalet që po marrim nga tregu, ne presim që euroja të gjejë një pikë ekuilibri rreth 90 lekëve. Në një skenar më ekstrem mund të shohim edhe nivele rreth 87 lekë, por ky nuk është skenari që ne do të dëshironim të materializohej. Nga turistët, emigrantët shqiptarë që jetojnë në shtet europiane, eksportet e mallrave dhe investimet e huaja u futën në Shqipëri në gjysmën e parë të vitit 8.27 miliardë euro”.
Sasia kaq e lartë e euros, zbehu edhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor.
“Janë tërhequr mbi 1.7 miliardë euro. Imagjino sikur kjo shumë mos ishte tërhequr. Kemi një kombinim faktorësh që po shtojnë ofertën e valutës në treg. Turizmi është një prej tyre, por nuk duhet të harrojmë prurjet nga emigrantët, eksportet dhe investimet. Kur këto burime valutore hyjnë në një periudhë të shkurtër në ekonomi, presioni për forcimin e lekut bëhet i natyrshëm.”
Sigurisht! Tregu, oferta dhe kërkesa. Si në thuajse çdo veprimtari tjetër, brenda këtij trekëndëshi sillet edhe kursi i këmbimit. Po a janë vetëm këta faktorët që kanë çuar në “rrënimin” e euros de valutave të tjera?”, vijon eksperti.
“Jo, nuk mund ta shpjegojmë gjithçka vetëm me mekanizmin e ofertës dhe kërkesës. Ka edhe faktorë të tjerë që lidhen me strukturën e ekonomisë shqiptare, pritshmëritë e tregut dhe mënyrën se si aktorët ekonomikë reagojnë ndaj këtij forcimi të lekut. Prandaj duhet parë nëse kemi të bëjmë me një fenomen të përkohshëm apo me një tendencë që mund të zgjasë”, shprehet Sefa.
Për shkak të metodologjisë në kursin e këmbimit valutor, përballë “superlekut” po zhvlerësohen edhe valutat e tjera kryesore në vend. Dollari po këmbehet për mesatarisht 81 lekë, Paundi për më pak se 107 lekë, ndërsa Fraga zvicerane ka rënë në 97 lekë për herë të parë në histori.
