Kuriozitete

‘Supernovë’ – Zbulohet pluhur yjor në akujt e Antarktidës

Gjendet pluhur yjesh në akujt e Antarktidës. I përkasin disa periudhave, përfshirë nga 40 mijë deri në 81 mijë vite më parë.

Është projekti Evropian Epica që ka zbuluar gjurmë të rralla të hekurit të quajtur 60Fe, një izotop që mund të formohet vetëm në kushte ekstreme, të tilla si shpërthimi i një supernove.

Supernovë quhet shpërthimi i një ylli shumë masiv, që ka përfunduar ciklin e jetës dhe është shuar tashmë.

Zbulimi ëhstë përshkruar në revistën Physical Review Letters, dhe përfshin ndër të tjera dhe udhëtimin e Tokës në Cosmos dhe është prova faktike e një mjedisi në evolucion të vazhdueshëm në të paktën 80 mijë vitet e fundit.

Sipas ekipit shkencor, gjurmët e ngecura në akujt e Antarktidës janë një kapsulë vertikale e kohës.

Akumulimi i shtresëzuar i substancave të ndryshme dhe të shumta janë burim i paçmueshëm mbi historinë e planetit tonë.

Më herët ishin gjetur provat që tregonin kalimin e plantetit tonë përmes një mjegullnaje ndëryjore me pluhur supernovash, detrite yjesh të shuara prej kohësh.

Prej këtej lind ideja dhe kërkimi shkencor u fokusua tek gjetja e fakteve në mjedisin tonë, duke analizuar kështu 295 kg akull të Antarktidës.

Sipas grupit të punës, sistemi ynë diellor vijon të spostohet prej të paktën 80 mijë vitesh kundrejt një rajoni, që quhet mjegullnaja ndëryjore lokale, e përbërë nga gazra, pluhura dhe plazëm që është krijuar pas aktivitetit të një supernove.

Të Ngjashme