Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar për protestën e paralajmëruar nga punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore, për javën e ardhshme për shkak të bllokimit të llogarive bankare të ndërmarrjes dhe pamundësisë për ekzekutimin e pagave.
Supremja ka bërë me dije se lënda që lidhet me këtë kontest gjyqësor është pranuar dhe regjistruar më 21 gusht 2026, dhe aktualisht është në shqyrtim.
Tutje, Gjykata ka theksuar se i kupton shqetësimet e punëtorëve të NPB-së, të cilët, sipas informacioneve në media, po përballen me vonesa në marrjen e pagave si pasojë e bllokimit të llogarive bankare të ndërmarrjes.
Por ky institucion ka bërë të ditur se shqyrtimi i lëndëve gjyqësore zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, ndërsa përcaktimi i prioriteteve bëhet duke garantuar trajtim të paanshëm dhe të barabartë për të gjitha palët.
Andaj në sqarimin e saj, Gjykata Supreme ka bërë të ditur se nuk mund të paragjykojë se kur do të përfundojë shqyrtimi i kësaj lënde.
“Për kohëzgjatjen e shqyrtimit të lëndës konkrete, Gjykata Supreme nuk mund të paragjykojë afatin e përfundimit të saj. Çdo vendimmarrje do të merret në bazë të ligjit dhe të rrethanave të çështjes, në ushtrim të pavarësisë dhe paanshmërisë gjyqësore. Gjykata Supreme respekton të drejtën e qytetarëve dhe punëtorëve për të shprehur shqetësimet e tyre në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, rikujton rëndësinë e respektimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe të shmangies së çdo forme të presionit që mund të perceptohet si ndërhyrje në procesin e vendimmarrjes gjyqësore”, thuhet tutje në komunikatë.
Gjykata Supreme thekson se mbetet e përkushtuar në ushtrimin e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore, duke siguruar që çdo lëndë të trajtohet sipas ligjit, me paanshmëri dhe në përputhje me standardet e administrimit të drejtësisë.
