Lajme

Sveçla reagon pas vdekjes së policit Rexhep Gashi: Të parandalojmë tragjedi të tilla

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vdekjes tragjike të zyrtarit policor Rexhep Gashi, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sveçla shprehu ngushëllimet për familjen e të ndjerit, kolegët e tij dhe të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Rexhep Gashi, i cili humbi jetën tragjikisht gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë”, ka shkruar Sveçla.

Ai tha se në këto momente të vështira institucionet qëndrojnë pranë familjes së policit për të ndarë dhimbjen e humbjes.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Gashi, kolegët e të ndjerit dhe të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Në këto momente të rënda qëndrojmë pranë familjes për të ndarë dhimbjen e kësaj humbjeje të madhe”, u shpreh ai.

Sveçla u bëri thirrje edhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale për të parandaluar raste tragjike.

U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion për kujdes dhe përgjegjësi maksimale, që të parandalohen tragjedi të tilla. Qoftë i përjetshëm kujtimi për zyrtarin policor Rexhep Gashi, i cili deri në çastet e fundit të jetës së tij i shërbeu me përkushtim Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Sveçla.

Rexhep Gashi humbi jetën pasi, sipas informacioneve të para, u godit nga një veturë në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar në Vërmicë, derisa ishte në kryerje të detyrës zyrtare. Rrethanat e plota të rastit janë duke u hetuar nga organet kompetente. 

Të Ngjashme