Lajme

Sveçla takon homologun turk në Stamboll, diskutohet bashkëpunimi në fushën e sigurisë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, është pritur në takim nga ministri i Brendshëm i Republikës së Turqisë, Mustafa Çiftçi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Stamboll.

Përmes një njoftimi në Facebook, Sveçla bëri të ditur se gjatë takimit e falënderoi homologun turk për ftesën, mikpritjen dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Ai theksoi marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve dhe vlerësoi kontributin e Turqisë në sigurinë rajonale dhe stabilitetin në Kosovë, përmes angazhimit në misionin KFOR dhe bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Kosovës.

Sveçla vlerësoi gjithashtu partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme, veçanërisht në ngritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë së Kosovës përmes trajnimeve dhe bashkëpunimit operacional.

Gjatë takimit u diskutua edhe avancimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë, përfshirë furnizimin me pajisje moderne për Policinë e Kosovës dhe mundësitë për projekte të përbashkëta me kompanitë turke të industrisë së mbrojtjes.

Ministri në detyrë theksoi rëndësinë e projektit strategjik për hapjen e fabrikës së municionit në Kosovë, si dhe përkushtimin institucional në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Në fund të takimit, Sveçla riafirmoi gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve dhe e ftoi ministrin turk për një vizitë zyrtare në Kosovë, me synim avancimin e projekteve konkrete dhe nënshkrimin e marrëveshjeve me interes të përbashkët, përfshirë njohjen reciproke të patentë-shoferëve.

Të Ngjashme