ShowBizzz

Tahiri: “Rritja” e paralajmëruar e pagave nga qeveria, nuk i mbulon dështimet në ekonomi

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se rritja e fundit e paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës nuk i mbulon dështimet në ekonomi dhe rënien e standardit të jetesës.

Në një postim në Facebook, ai ka përmendur kohën kur Bedri Hamza, tani kandidat për kryeministër i PDK-së, ka qenë ministër i Financave, në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, atëherë.

“Rritja” e paralajmëruar e pagave nga qeveria në shkuarje, nuk i mbulon dështimet në ekonomi dhe rënien e standardit të jetesës. Kjo rritje e premtuar është tejet e vogël për të sanuar sado pak nivelin e varfërisë së ekonomive familjare i cili është rezultat i rritjes së çmimeve të produkteve, çmimit të energjisë elektrike, rritjes së tatimit në pronë dhe politikave të gabuara që kjo qeveri i ka miratuar”.

“Ndërkaq, në kohën kur financat e shtetit i menaxhonte Bedri Hamza, asokohe ministër financash, ne pak muaj Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, i rriti pagat e mjekëve 87%, të arsimtarëve 89% pagat e infermierëve 133%, pagat e policëve 139% dhe të gjitha kategorive të tjera shoqërore”.

“Në të njëjtën kohë, pa marrë asnjë cent borxh, kemi ndërtuar dy autostrada që kanë transformuar vendin, kemi sjellë investitorë të mëdhenj në aeroport dhe energjetikë dhe kemi zvogëluar papunësinë për 30%. Këto nuk janë statistika propagandistike. Të gjithë qytetarët i mbajnë ne mend rritjet e pagave nga Bedri Hamza, në qeveritë e udhëhequra nga Kryeministri Thaçi. Koha e premtimeve të kësaj qeverie në shkuarje ka kaluar. Koha e përparimit dhe ndryshimit po vjen me 9 shkurt”, ka thënë Tahiri.



ks