Promoteri i Taylor Swift, “Barracuda Music” të mërkurën mbrëma anuloi koncertet e këngëtares në Vjenë këtë javë, pasi autoritetet e vendit arrestuan dy persona të dyshuar për planifikim sulmi në këtë ngjarje.
“Me konfirmimin nga zyrtarët qeveritarë për një sulm të planifikuar terrorist në stadiumin Ernst Happel, nuk kemi asnjë mundësi tjetër përpos të anulojmë tri koncertet e planifikuara për sigurinë e të gjithëve”, ka thënë “Barracuda Music” në Instagram, duke shtuar se të gjithë ata që kanë blerë bileta do të rimbursohen.
Dy persona janë arrestuar ditën e sotme në Austri pasi pretendohet se kanë planifikuar sulm në koncertin e Taylor Swift, sipas gazetës austriake “Kronen Zeitung” dhe zyrtarëve austriakë.
Një nga të arrestuarit është një 19-vjeçar austriak “me prejardhje nga Maqedonia e Veriut” që “ka jetuar me familjen e tij në Ternitz”, sipas “Kronen Zeitung”. Ai u arrestua “nën dyshimin e fortë për terrorizëm”, shkroi gazeta austriake.
Franz Ruf, drejtor i sigurisë publike në ministrinë e brendshme të Austrisë, tha se autoritetet ishin të vetëdijshme për “veprime përgatitore” për një sulm të mundshëm “dhe po ashtu se kishte në fokus …koncertet e Taylor Swift në Vjenë” nga 19-vjeçari, tha agjencia austriake e lajmeve “Austria Press Agency”.
Ruf tha se 19-vjeçari është qytetar austriak i cili ishte betuar për besnikëri ndaj grupit të Shtetit Islamik dhe besohet se është radikalizuar në internet. Ruf tha se substancat kimike janë siguruar dhe janë duke u vlerësuar. Ai nuk dha më shumë detaje.
Arrestimi tjetër ndodhi në Vjenë, sipas raportimit të gazetës.
ks