Superylli i popit Taylor Swift vendosi një tjetër rekord të dielën, duke u bërë interpretuesja e parë që fiton për herë të katërt çmimin “Grammy” për “Albumin e vitit”.
34-vjeçarja fitoi albumin e vitit për “Midnights”, duke lënë pas legjendat e muzikës Frank Sinatra, Paul Simon dhe Stevie Wonder, të cilët mbanin të njëjtin rekord.
Swift tha se ishte e emocionuar nga nderimi dhe ndau përmbushjen që ndjen nga muzika. “Më bën shumë të lumtur”, tha ajo. “Gjithçka që dua të bëj është të vazhdoj ta bëj këtë”.
Më herët, Swift mori çmimin për “Performancën më të mirë vokale pop” dhe shfrytëzoi momentin për të njoftuar se do të publikojë albumin e saj të ri “The Tortured Poets Department” më 19 prill.
“Dua të falënderoj fansat duke ju thënë një sekret që e kam mbajtur për dy vitet e fundit”, tha Swift teksa zbuloi albumin e ri.
Swift, e cila do të udhëtojë për në Tokio për të rifilluar turneun e koncerteve me fitimet më të larta në botë, ishte ndër gratë që fituan çmimet kryesore “Grammy” të dielën.
Ajo mori çmimin nga Celine Dion, e cila bëri një paraqitje të rrallë pas raportimeve për gjendjen e saj jo të mirë shëndetësore.
bal