Pranë – duke e siguruar se “historia do të ishte më bujare” se bashkëkohësit e tij – i qëndroi vetëm Henry Kissinger që ishte Sekretari i tij i Shtetit. Gazetat e goditën me të gjithë plumbin që mbanin në shtypshkronjë. Miqtë e tij – edhe ata më të besuarit – ia kthyen shpinën për të mos kompromentuar edhe karrierën e tyre personale. Dhe njerëzit në rrugë – pa hezitim – thoshin se, nga një tip si ai, nuk do të kishin blerë as një makinë të përdorur.
I tronditur nga rezultatet e hetimit të Watergate, Richard Nixon dha dorëheqjen si president i Shteteve të Bashkuara më 9 gusht 1974. Një zgjedhje e detyruar për të shmangur rrezikun e impeachment-it që do ta dërgonte atë, nën aktakuzë, para gjykatësve të Gjykatës Supreme. Watergate ishte – dhe është – një hotel me pesë yje në Uashington, i cili i shton luksit të origjinës së tij, sharmin e një historie me spiunë, që e ktheu përmbys sistemin politik amerikan. Dhe për të kuptuar jehonën e saj me kalimin e kohës, mjafton të kujtojmë se sot për të fjetur në dhomën 214, ku nisi skandali, kushton një mijë dollarë, por kërkon një rezervim shumë më herët.
Rreth hotelit ka gjashtë ndërtesa – midis lumit Potomac dhe Virginia Avenue – të cilat mbajnë qindra zyra. Në fillim të viteve ’70, kati i gjashtë ishte në dispozicion të shtabit drejtues të Partisë Demokratike, që merrej me zgjedhjet presidenciale. Richard Nixon – republikan, në detyrë – po prezantohej për mandatin e tij të dytë dhe po marshonte drejt Shtëpisë së Bardhë, ndërsa sfiduesi i tij George McGovern dukej se po ecte nëpër shtigje që, javë pas jave, po bëheshin më të rrëshqitshme. Dhe doli që një grup ish-007-sh po punonin për të shtuar halle të tjera, për ata që tashmë nuk dinin si t’u iknin atyre që kishin.
U zbulua rastësisht më 17 qershor 1972. “Për faj” të një cope shirit ngjitës me përmasa vetëm 380 milimetra katrorë (dy gishta) e vendosur në gjuhëzën e një brave, për të siguruar që dera të mbetej e hapur. Frank Wills – përgjegjës për mbikëqyrjen e natës – e vuri re, por sigurisht nuk dyshoi për ndonjë skenar
me agjentë sekretë. Ai besonte – e deklaroi këtë në gazeta të nesërmen – se e kishin harruar pastrueset. Wills hoqi ngjitësin dhe aktivizoi mbylljen automatike. Por kur në patrullimin e dytë gjeti derën të mbështetur në një copë tjetër shiriti, thirri policinë e cila arrestoi pesë persona. Mjetet e vjedhjes që kishin në dispozicion dukeshin paksa të sofistikuara për kriminelët “normalë”. Dhe, për të përjashtuar çdo lidhje me botën e krimit, mjaftuan dy armët e mbushura me gaz lotsjellës që asnjë kriminel nuk do t’i kishte përdorur, si dhe dy kamera me dyzet rrotulla filmi.
Të nesërmen, çështja mund të kishte përfunduar me dënime për Bernard Barker, Virgilio González, Eugenio Martínez, James McCord dhe Frank Sturgis. Por, në sallën e gjyqit për të marrë pjesë në seancë – për një arsye tjetër – ishte gazetari i gazetës Washington Post, Bob Woodward, i cili u gjend në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, por pati zgjuarsinë për t’i kushtuar vëmendje faktit që një nga të akuzuarit, ishte i punësuar nga CIA. Artikulli, i botuar në faqen e parë, ishte i pari ndër 79 raportime, të cilat, të paktën në fillim, kishin pak interes për opinionin publik, por që, goditje pas goditjeje, u bënë topa që shpërthyen kundër Shtëpisë së Bardhë dhe Presidentit Nixon. Hetimi arriti të përvijojë konturet e një komploti, për të njohur paraprakisht lëvizjet e kundërshtarëve, me qëllim bojkotimin e tyre.
Strategjia ishte planifikuar disa vjet përpara 1972-shit dhe, deri në atë pikë, ishte realizuar në mënyrë djallëzore. Projekti iu besua Gordon Liddy-t, i cili ishte një person kyç në stafin e rizgjedhjes së Nixonit. Megjithatë, për zbatimin praktik të tij, ishte i nevojshëm miratimi i John Newton Mitchell, i cili në ekipin zgjedhor mbante rolin e drejtorit. Emisarët republikanë – me manipulime dhe mashtrime – arritën të eliminonin kandidatët demokratë më të zotë për t’i bërë ballë Niksonit, duke i hapur rrugën atij më pak “të rrezikshëm”. Për shembull: “Ed” Muskie, i cili gëzonte një mbështetje të gjerë dhe po rritej në sondazhe, u “dogj” në debutimin e tij, kur u shfaq në New Hampshire ku po fillonte procesi i nominimit. Spiunët punësuan rreth njëqind djem të cilët, në mes të natës, i telefonuan demokratëve duke u prezantuar si grupi “Harlem for Muskie” dhe duke kërkuar një votë preferenciale. Ora e vonë e telefonatave i bezdisi bashkëbiseduesit dhe propozimi i një shoqate të zezakëve, që synonte një elektorat të bardhë ende mjaft konservator, rezultoi deçiziv për t’i bindur që të zgjidhnin kandidatë të tjerë.
Internet nuk kishte atëherë dhe ajo që sot do të mohohej lehtësisht me një klikim, më pas u mor si e mirëqenë dhe Muskie mbeti i ulur në dëborë me kokën në duar. Duke krijuar ngatërresa organizative, ata shkatërruan një sërë konventash. Gjë që nga njëra anë ngadalësoi krijimin e një fushate elektorale efektive dhe nga ana tjetër demoralizoi radhët e partisë. Në fund, ata lejuan që kundërshtari të ishte McGovern, një senator nga Dakota e Jugut, i konsideruar “më i largët majtas” kundër të cilit argumentet e Nixonit do të kishin qenë më efektive. Ata gjithashtu e nxorrën nga loja kandidatin për zëvendëspresident, Thomas Eagleton, duke gërmuar disa raporte mjekësore në lidhje me të, që përfshinin seanca elektroshoku për të trajtuar depresionin. Pra, pas gjashtë apo shtatë përgjigjeve negative, dyshja për t’iu kundërvënë Nixonit u plotësua me Sargent Shriver. E gjithë kjo ka ndodhur para 17 qershorit 1972. Në vetvete, nuk do të ishte e nevojshme të ngulmonim me spiunazh kundër demokratëve. Ishte nga një lloj zelli i tepruar që të pestët kërkuan të zëvendësonin pajisjet përgjuese, sepse të vjetrat nuk funksiononin mirë.
Hëngrën një darkë me aragosta në restorantin e hotelit dhe më pas iu futën një pune, të cilën nuk arritën ta përfundonin. Kutia e Pandorës që u zbulua e ktheu në qendër të vëmendjes një skandal të destinuar të bëhej prototipi i skandalit politik. Por nuk ndodhi menjëherë. Në zgjedhjet presidenciale (7 nëntor 1972) Nixon fitoi 49 nga 50 shtete. Ai i la kundërshtarit vetëm Massachusetts dhe District of Columbia. Për demokratët, një humbje shkatërrimtare. Barku i Amerikës bërtiste për siguri dhe stabilitet. Lufta e Vietnamit e cila u zvarrit me gjakun e ushtarëve amerikanë, trazirat e studentëve në universitete (duke filluar me atë të Berklit), klima e konfliktit me Kinën e Maos kërkonte përgjigje qetësuese, që republikanët dukeshin të aftë për t’i ofruar.
Washington Post nuk lëshoi asnjë milimetër. Gazeta ishte – dhe është – krenarisht demokratike. Drejtori i saj, Ben Bradlee këmbënguli. Gazetarit Woodward i cili kishte qenë oficer në Marinë, por ishte ende mjaft i papjekur në botën e informacionit, iu bashkua Carl Bernstein, i cili kishte një duzinë vitesh që merrej me gazetarinë investigative. Çdo ditë ata bashkonin copëzën e një enigme që në fund rrethoi Shtëpinë e Bardhë. Të dy përfituan nga ndihma që u erdhi nga një informator sekret, të cilin e quajtën “deepthroat. Vetëm rreth tridhjetë vjet më vonë, Mark Felt rrëfeu se ai ishte personazhi misterioz që ofronte informatat.
Një personazh jo krejt i pastër. Ai ishte zëvendësdrejtor i FBI-së dhe, natyrisht, për Watergate-in, ai i dinte të gjitha gjërat. Disa e përkufizojnë si “idealist”, por shumica theksojnë se qëndrimi i tij mund të shpjegohet edhe me zhgënjimin që nuk u promovua në drejtimin e Agjencisë. Kur John Edward Hoover vdiq, ai mendoi se mund të bëhej numri një. Në vend të kësaj, brenda pak muajsh, me dekret të Nixonit, të tjerë e pasuan në krye të FBI-së. Inati ndaj administratës republikane mund ta ketë bindur të takojë Woodward-in në parkingun e nëndheshëm për ta vënë atë në rrugën e duhur dhe, veçanërisht, për ta këshilluar të “ndiqte paratë”. Ndiq paratë. Dhe, në fakt, u identifikuan fonde të destinuara për spiunazh dhe fonde të përdorura (më pas) për të mashtruar hetuesit. Hetimi mbërriti në derën e dhomës Ovale.
Nixoni – kjo duket e sigurt – nuk kishte dijeni për marifetet e komitetit të tij zgjedhor, por – dihet po me kaq me siguri – ai punoi për të mbuluar hetimet dhe për t’i fevijuar ato. Nuk kishte alternativë tjetër veç dorëheqjes. ■ bota.al
BotaM