Lajme

Të hënën nis viti i ri shkollor, Nagavci: Janë bërë të gjitha përgatitjet

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se të hënën, më 2 shtator fillon viti i ri shkollor 2024/2025.

Nagavci në një postim në Facebook shkruan se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në koordinim me komunat i ka bërë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Më 14 gusht është hapur aplikimi për subvencionim me tekste dhe materiale shkollore në platformën e-Kosova. Proceduralisht këtë vit ka qenë shumë më e lehtë sepse prindërit i kanë pasur llogaritë aktive.

Kemi ndarë me kohë katalogun e teksteve tek komunat dhe Drejtoritë Komunale të arsimit tashmë e kanë sjell listën e teksteve të miratuara. Këtë listë, e kemi publikuar edhe në faqe të MASHTI dhe kemi kërkuar edhe nga komunat që ti bëjnë publike listat e teksteve.

Kanë aplikuar gjithsej 203.407 prindër ose kujdestarë ligjor për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Ndërkaq, janë subvencionuar gjithsej 201,120 aplikues. Procesi i transferimit të mjeteve është duke vazhduar, po ashtu platforma për aplikim po qëndron e hapur”, shkruan Nagavci.

“Çdo rast i adresuar në numrin e telefonit dhe në email adresën [email protected] është trajtuar me prioritet dhe u është ofruar ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve. Ndërkaq, si Ministri nuk kemi pranuar asnjë ankesë Komunat në lidhje me këtë proces.

Në kuadër të përgatitjeve për vitin e ri shkollor kemi publikuar edhe Udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2024-2025.

Falënderoj të gjithë mësimdhënësit që punojnë pa u lodhur për zhvillimin e gjeneratave të reja, për përkushtimin në klasë, përkushtimin për nxënës, pasionin për mësimdhënie.

Ju dëshiroj një vit shkollor të mbarë e me shumë suksese!”, shkruana jo.