Lajme

Të reja mbi përgjimet e SkyECC dhe përdorimin e rezultateve të tyre në procesin penal

(sipas MEMORIES së Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Italisë)

Nga avokat Gurali Brahimllari, magjistrat, ish Gjyqtar

Seksionet e Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit në Itali, shpallën disa ditë më parë, verdiktin e tyre për çështjet e lidhura me transkriptet e bisedave të përgjuara në SkyECC, por ende nuk kanë bërë publike motivet e këtij vendimi. Megjithatë autortitet gjyqësore dhe profesionistët e ligjit në Itali e gjetiu, tashmë e kanë të qartë se kjo Gjykatë, ka përcaktuar se mesazhet (transkriptet) e shkëmbyera në platfomën SKYECC, janë rezultate të përgjimeve, ndersa  përdorimi i tyre si provë në procesin penale, perfshirë edhe caktimin e masës se sigurimit “Arrest në burg”, kërkon prej autoritetit gjyqësor italian që “të verifikojë respektimin e të drejtave themelore (të të dyshuarit), duke përfshirë të drejtën e mbrojtjes dhe garantimin e një gjykimi të drejtë”.

Këto përfundime të Gjykatës së Kasacionit, në kontekstin e proceseve penale që po zhvillohen në Shqipëri, konfirmuan qasjen tonë se rezultatet e përgjimeve të bisedave të të dyshuarve si përdorues të platformës SkyECC, edhe pse kanë ardhur me letërporosi prej autoriteteve gjyqësore franceze, nuk mund të përdoren për të justifikuar paraburgimin, për shkak se për marrjen e traskipteve nuk janë respektuar të drejtat themelore të garantuara nga Kushtetuta dhe ligji procedurial shqiptar. Posaçërisht ështe dhunuar “e drejta e lirisë së korrespondencës dhe e çdo komunikimi tjetër”, e cila gjen zbatim, në përmbajtjen e neneve 226 dhe 151/3 të K.Pr.Penale, që parashikojnë ndalimin e përdorimit të rezultateve të përgjimeve, kur janë kryer në shkelje të kufijve që lejon neni 221 i këtij Kodi.

Prandaj disponimi i Seksioneve të Bashkuara, në kontekstin shqiptar, nuk përbën vetëm RISI, por duhet të vlerësohet si mundësi për ndryshimin e mendimit dhe veprimit, nga të gjithë ata profesionistë të ligjit, që kanë patur qasjen e gabuar se “përderisa këto transkripte kanë ardhur nga autoriteti gjyqësor francez, nuk mund të vihen në diskutim, por përbëjnë provë në proceset penale që po zhvillohen në Shqipëri”. Duke sjellë në vemendje se e kemi kundërshtuar këtë qasje të gabuar, që në krye të herës (Korrik 2023), jo vetëm në seancat gjyqësore, por edhe në disa shkrime apo dalje publike, shpresojmë e besojmë se Vendimi i datës 29 Shkurt 2024 i Seksioneve të Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit, do të ndikojë për të ndryshuar qëndrimin mospranues dhe refraktar ndaj argumenteve të dhëna prej mbrojtjes, jo vetëm të Prokurorisë së Posaçme por edhe të Gjykatave (edhe pse Gjykata e Lartë ende nuk e ka arsyetuar qëndrimin e saj).

Thirrja për  futjen në “shtratin e ligjshmërisë”  të procesit penal, gjen mbështetje edhe më të plotë pas njohjes me detajet e hetimeve të kryera në Itali dhe argumentet e dhëna nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në MEMORIEN me shkrim drejtuar Seksioneve të Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit përpara se të jepej vendimi i datës 29/02/2024.

Në këtë MEMORIE (të nënshkruar nga Avokati i Përgjithshëm dr. Luigi Gaeta dhe zv. Prokurori i Përgjithshëm dr. Luigi Giordano), gjenden, jo vetëm të dhëna të reja për dinamikën e realizimit të ndërhyrjes në platformën SkyECC, por edhe argumente balancuese të të gjitha qasjeve interpretative për çështjet e përgjimeve të SkyECC, të dala nga praktika gjyqësore italiane edhe pse për zgjidhje para Gjykatës së Kasacionit, ishin shtruar vetëm disa prej tyre.

Me qëllim që këtë perceptim ta bëj të njohur, për këdo që është i interesuar, zgjodha të publikoj një pjesë të shtjellimeve të MEMORIES, në vlerësimin tim, si më të rëndësishme në kontekstin e procedimeve penale që janë rregjistruar e po vijojnë në vendin tonë.

PJESA E PARË:  Disa RISI për dinamikën e ndërhyrjes në platformën SkyECC dhe ndikimin e tyre në proceset penale në Itali.

Sipas përmbajtjes së MEMORIES së Prokurorisë së Përgjithshme del se hetimet e kryera prej policisë franceze, në bashkëpunim me policitë holandeze dhe belge dhe me koordinimin e EUROPOL-it, kanë arritur të zbulojnë në mënyrë progressive, të dhënat e arkitekturës së sistemit të komunikimit të instaluar prej kompanisë kanadeze Sky Global, në platformën SkyECCKy proces ka filluar me interceptimin, devijimin dhe ruajtjen e e fluksit të bisedave në gjendjen e kriptuar në një server tjetër, nën administrimin e xhandarmërisë franceze dhe policisë Holandeze, për të arritur në dëshifrimin e plotë të transkripteve dhe marrjen e rezultateve të përgjimeve, pas përfundimit të operacionit në Mars 2021.

Në Memorie konfirmohet fakti se për herë të parë urdhëri për vendosjen e përgjuesit kompjuterik në fluksin e bisedave të abonentëve të SkyECC është bërë me vendimin e datës 14 qershor 2019, të gjyqtarit hetues, pranë gjykatës së faktit në Lilë. Gjyqtari francez e ka motivuar lejen/autorizimin për përgjim për nevojat e hetimeve të veprave penale të kriptologjisë (Franca është i vetmi vend në Europë që parashikon si vepër penale përdorimin e paisjeve të kriptuara) si dhe të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Më tej sqarohet fakti se të dhënat e komunikimeve janë përftuar, nëpërmjet paisjes përgjuese që instalohet në fluksin e bisedimeve, e cila pas datës 23/03/2019, lejohet nga legjislacioni proceduriale që të përdoret në Francë. Madje në Memori,e Prokuroria e Përgjithshme ka sjellë në vemendjen e Gjykatës së Kasacionit edhe Vendimin e Këshillit Kushtetues Francez të datës 08/04/2022 që legjitimon këtë lloj përgjimi dhe mjetin e veçantë Teknik të përdorur.

Në Memorie bëhet e ditur se urdhëri i gjykatësit për vijimin e përgjimeve është përsëritur disa herë, duke e zgjatur afatin e tyre. Në një prej këtyre vendimeve, që mban datën 03/08/2020, gjykatësi në Lilë, ka evidentuar faktin se “nga mesi i Qershorit deri ne Gusht 2020 jane interceptuar  më shumë se  30 000 përdorues të rinj, pas migrimit të subjekteve që më përpara ishin abonentë të Encrochat”(Kjo e fundit  u shkatërrua, në atë kohë, nga aksion i përbashkët policor i Francës dhe Holandës).

Nga hetimet e kryera për platformën SkyECC, ka dalë se, për të garantuar enkriptimin, shoqëria Sky Global kishte vendosur katër çelësat: “1- çelësi i fjalëkalimit; 2- çelësi sekret; çelësi 3-master dhe 4- çelësi privat. Të dhënat e detajuara për secilin prej tyre përshkruhen në MEMORIE. Dy prej çelësave kanë qenë të pranishëm në SERVER, ndërsa dy të tjerë ishin në celularin e çdo përdoruesi.

Interesant është fakti i publikuar për herë të parë se “Në vazhdim të veprimtarisë hetimore, në dhjetor 2020, ka dalë në pah në vendim tjetër autorizues, këtë herë ,nga gjyqtari hetues i Parisit, me të cilin është ngritur një program, informatik, që ka shërbyer për të kapur çelësin e shifrimit të pranishëm në këtë paisje. Ky vendim, në shkurt 2021 është pasuar nga një vendim tjetër, i gjykatësit në Paris “për instalimin e një paisje të dytë interceptimi femër     

Nga aksioni i zhvilluar më 9 mars 2021, kur policia kreu njëherësh, në shumë vende të Eurpoës, arrestime të personave të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike (mes të cilëve edhe në Itali për rastet në shqyrtim), është bërë e mundur të gjenden dhe të sekuestrohen edhe disa prej aparateve inteligjent. Njëkohësisht bëhet e ditur se janë sekuestruar edhe serverat e platformës SkyECC, të vendosura në Roubaix, në të cilat, më pas, janë gjendur dy çelësat, të cilët kanë ndihmuar në dekriptimin e bisedave të perceptuara në fluksin e komunikimeve, të transferuara nga paisja përgjuese në serverat përkatës të policisë Franceze dhe Holandeze. Për garancinë e vërtetësisë së tyre, sqarohet se është marrë çertifikatë nga autoritetet e vendit të origjinës, por detajet nuk mund të bëhen të ditura sepse janë pronë e shtetit francez.

Përbën RISI befasuese, sipas meje, fakti se në ditët e para të operacionit, suksesi i ndërhyrjes në platformë i dedikohet “gabimeve” të disa përdoruesve të SkyECC, të cilët me apo pa dashje, kanë neglizhuar aplikimin e “çelësave” të enkriptimit, përpara se të kryenin bisedat që përgjoheshin në kohë reale.  Si rrjedhojë jo vetëm është bërë “kapja” e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike, por edhe janë nxjerrë, në kohë reale, të dhëna të tjera që kanë ndihmuar zbërthimin e aplikacionit të koduar. Në këtë MEMORIE, publikohet për herë të parë një “Informacion për ecurinë e hetimeve” i  datës 18 korrik 2019“Brigadieri i Policisë” në Lilë, i ka dërguar PROKURORIT PUBLIK me këtë përmbajtje: një analizë paraprake e rrjedhës së rrjetit zbuloi elementë premtues: një pjesë e trafikut të rrjetit nuk ishte e koduar; disa informacione u transmetuan në mënyrë të qartë; një analizë sintetike e paketave të para të rrjetit të përgjuara bëri të mundur gjurmimin e klientëve të emaileve që konfirmojnë aktivizimin e llogarisë SKY ECC duke përfshirë numrin IMEI, numrin serial të telefonit të aktivizuar, identifikuesin SKY.ECC, etj.).

Një veçanti tjetër që del prej kësaj MEMORIE, është  edhe fakti se në kohën e përgjimit të bisedave në platformën Sky ECC, proceset penale në Itali, (që janë referuar si çështje në Gjykatën e Kasacionit), kanë qenë në hetim e sipër. Madje nga hetimet e kryera prej autoriteteve gjyqësore Italiane janë konstatuar përdorimi prej të dyshuarve i telefonave inteligjent sepse janë përmendur prej tyre shkëmbimet e bisedave të enkriptuara. Prandaj masa e sigurimit “Arrest në burg” në këto çështje është bazuar mbi të dhënat dhe provat e qenësishme të hetimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë Italiane, ndërsa rezultatet e përgjimeve të bisedave të platformës SKYECC, kanë sjellë të dhëna më të plota të ndërveprimeve të bashkëpunëtorëve në këtë veprimtari kriminale si edhe përcaktime më të detajuara të sasive të lëndëve narkotike të sekuestruar.

Kështu për çështjen e dërguar nga Seksioni i veçantë në datë 03/11/2023, rezulton se vendimi i “arrestit në burg” i dhënë nga Gjykata e hetimit paraprak në Potenca, lidhet me një procedim penal të rregjistruar në vitin 2020, me dyshimet për veprimtarinë e një organizate kriminale që merrej me trafikun ndërkombëtar të llojeve të ndryshme të narkotikëve. Hetimet janë kryer me ndihmën e një agjenti të fshehtë të policisë italiane, nëpërmjet të cilit  dhe veprimeve të tjera hetimroe (vëzhgime, përgjime, kontrolle etj) kishin zbuluar një numër të konsiderueshëm transaksionesh të lëndëve narkotike duke arritur në konfiskimin të tyre. Vlen të theksohet se janë konfiskuar edhe disa sasi të heroinës së llojit 6-MAM(6-monoacetilmorfinë), e identifikuar si një substancë që “..vepron drejtëpërdrejtë në tru”, e përcaktuar si “heroinë vrasëse” ose “super heroine”.

Gjyqtari i hetimeve paraprake në Potenzë, autorizoi përgjimet telefonike me një Urdhër (vendim) të datës 13 janar 2021, e cila u pasua me një urdhër tjetër për zgjatjen e përgjimeve. Nga këto përgjime ka dalë se anëtarët e organizatës përdornin telefona inteligjent iPhone 6, për komunikime të enkriptuara në SkyECC, mes të cilëve kanë identifikuar edhe përdoruesin e Kodit Pin E10F7C. Madje nga përgjimi i paisjes iPhone (e shoqëruar me Kodin Pin E10F7C), kryer prej autoriteteve italiane, u arrit të përcaktohej pozicionimi i të dyshuarve që ndihmoi për ndjekjen e lëvizjeve të tyre, çka ka ndihmuar në kapjen e lëndës narkotike dhe arrestimin e disa prej bashkëpunëtorëve.    Po kështu në MEMORIE theksohet se i arrestuari  G.E, ka qenë objekt i vëzhgimit, gjurmimit, kontrollit si edhe i përgjimeve proceduriale, nga tërësua e të cilave i është atriubuar, në mënyrë të sigurtë, pseudonimi “I VOGLI”, i përdorur gjatë shkëmbimit të mesazheve të enkriptuara.

Këto hetime janë konfiirmuar nga rezulatet e përgjimeve që kanë ardhur nga autoritet gjyqësore Farnceze, me Urdhërin Europian të Hetimit, të dërguar në datë 09/07/2021. Ato përbëjnë traskipte të  shkëmbimeve të komunikimeve tëët dyshuarve të sipërpërmendur, gjatë   periudhës 12 Dhjetor 2019 – 08 Mars 2021, të cilat kanë mbërritur në Prokurorinë e Potencës, në  datën 06 Shtator 2021.

Edhe për çështjen e referuar në datë 15.01.2024, rezulton se procedimi penal ka të bëjë me importimin e sasive të mëdha të drogës në Kalabri, e cila zbarkohej në portin e Gioia Tauro. Në hetim kanë qenë tre organizata kriminale, të cilat kryen negociata, për blerjen e ngarkesave me lëndë narkotike nga vende të huaja (Amerika e Jugut dhe Belgjika). Autoritetet italiane kanë kryer  përgjime telefonike dhe ambientale (ndërmjet të pranishmëve), shoqëruar me vëzhgimin e afërt dhe me video, të kryera me lejen e organit procedues, në periudhën gusht 2020 – 30 maj 2022. Nga hetimet tradicionale të këtyre grupimeve kriminale, ka rezultuar se përdornin edhe telefona inteligjentë, “kriptofona të gjeneratës së fundit, pasi ato, për shkak të teknologjisë së tyre speciale të sofistikuar, konsiderohen të paaftë për t’u kapur nga forcat e policisë”.  Të dhënat e dërguara nga autoritetet franceze mbi rezultatet e përgjimeve të bisedave me mesazhe të enkriptuara, u administruan në proces, si në rastin e parë, së bashku me aktet e tjera proceduriale si edhe vendimet e gjyqtarit në Lilë, për autorizimin e përgjimeve dhe zgjatjen e afateve të tyre.

Në MEMORIEN e Prokurorisë së Përgjithshme, sqarohen Seksionet e Bashkuara se në secilën prej çështjeve të referuara “veprimtaria hetimore e kryer, e cila mbi të gjitha mori formën e një përgjimi intensiv dhe të gjerë, preku tërësinë e komunikimeve të zhvilluara ndërmjet subjekteve, të cilat kryheshin sipas metodave tradicionale…, ashtu edhe nëpërmjet trafikut të informacionit nëpërmjet kapjes së mesazheve me tekst ose chat-it, që përftoheshin …nëpërmjet përdorimit të aplikacionit të kripto-chat-it të quajtur Sky-Ecc” .

Por, siç del edhe nga ky akt i Prokurorisë së Përgjithshme në dosjet hetimore që shoqërojnë kërkesat e Prokurorisë për caktimin e “Arrest në burg”, gjenden të gjitha materialet proceduriale të mbledhura prej autoriteteve franceze.  Pra, së bashku me transkriptet e bisedave të përgjuara, autoritetet franceze kanë dërguar për autoritetet italiane edhe aktin “Kërkesë” e Prokurorit Publik në Lilë, për vendosjen në përgjim të fluksit të bisedave të platformës SkyECC si edhe VENDIMET e gjyqtarit të hetimeve paraprake të kësaj gjykate për pranimin e kërkesës dhe lejimin e përgjimit me paisjen teknike të krijuar enkas. Madje, në dosjet hetimore të këtyre çështjeve në Itali, janë përfshirë vendimet e zgjatjes se afateve te pergjimit si edhe informacionet e policisë gjyqësore franceze gjatë dinamikës së këtyre përgjimeve (siç ishte informacioni i dt. 18/07/2019) si dhe aktet e mëvonshme proceduriale.

Theksuam të dhënat e referuara në Memorien e Prokurorit të Përgjithshëm, për të sjellë në vëmendjen e Prokurorisë së Posaçme përmbajtjen e dosjes hetimore të emërtuar “Metamorfoza”, si dhe për t’i kujtuar Gjykatave të Posaçme dhe jo vetëm, gjendjen e akteve dhe të provave në fashikullin gjyqësor të këtij procesi, mbi të cilat është justifikuar “dyshimi i arsyeshëm” për caktimin e masave të sigurimit “Arrest në burg”.  Pra evidentojmë, jo vetëm qasjen diskriminuese të autoriteteve gjyqësore franceze,(Gjykata e Apelit në Paris) për ekzekutimin e “çalë” të letërporosisë së dërguar nga Prokuroria e Posaçme, por edhe hezitimin e kësaj të fundit për të rikërkuar, plotësimin e letërporosisë së saj dhe marrjen e të gjitha provave dhe akteve proceduriale që i përkasin procedimit penal nr 41/2013.

Nën optikën e të dhënave të referuara në këtë MEMORIE, del krejt e papranueshme në procesin tonë penal, edhe qasja indiferente e  Gjykatave të të tre niveleve, të cilat kanë refuzuar të pranojnë kërkesën e mbrojtjes për të orientuar organin procedues që të kërkojë prej autoriteteve gjyqësore franceze, provat dhe aktet e plota proceduriale të çështjes, përfshirë vendimet gjyqësore të autorizimit të përgjimit dhe zgjatjes së afateve të tij, në të njëtën mënyrë sikurse nga autoritet Franceze u janë vënë në dispozicion autoriteteve gjyqësore italiane.

Risjellim në vëmendjen e publikut se autoritetet franceze i kanë dërguar Prokurorisë së Posaçme vetëm një CD me transkripte të bisedave të përgjuara prej tyre të cilat shoqërohen me një “mandat” të kufizuar për organet tona gjyqësore sepse, qartazi kanë përjashtuar përdorimin e tyre për hetimin dhe gjykimin e çështjeve penale të ndryshme nga trafikimi i lëndëve narkotike (madje si instrument ndërkombëtar bashkëpunimi është përcaktuar Konventa e OKB e vitit 1988“Për luftën kundër drogave dhe substancave psikotrope”).

Prandaj plotësimi i letërprosisë, përpos të drejtës së mbrojtjes për njohjen me aktet e provat e mbledhura nga autoritetet franceze, i shërben edhe hetimit më të mirë të çështjes, për shkak se, ndryshe nga dy rastet e gjykatave  italiane,  në vendin tonë nuk ka patur asnjë veprim hetimor dhe nuk është përftuar asnjë indicje elementare, që të provojë përfshirjen e të arrestuarve, në veprat penale për të cilat është rrregjistruar procedimi nr. 41/2023.

Në një publikim tjetër, do të prezantojmë pjesën e dytë, me shtjellimet balancuese të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, lidhur  me qasjet e ndryshme interpretative të gjykatave Italiane të rezultateve të përgjimeve të dyshuarve si përdorues të SkyECC, sipas parimeve të Urdhërit Europian të Hetimit, mbi ekuivalencën dhe detyrimet për njohjen reciproke të vlerës së provës të marrë nga një gjykatë tjetër e BE-së.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo