Fushata e rekrutimit në Forcat e Armatosura ka vijuar edhe në qytetin e Gjirokastrës, ku të rinjtë kanë shprehur interes për t’iu bashkuar strukturave ushtarake dhe për të ndjekur një karrierë në këtë fushë. Në kuadër të kësaj nisme, Qendra e Personel Rekrutimit, në bashkëpunim me Forcën Tokësore, Detare, Ajrore dhe Komandën Mbështetëse, organizoi aktivitetin “Ditë e Hapur”, me qëllim informimin e të rinjve mbi mundësitë që ofron karriera ushtarake.
“Të gjithë të rinjtë dhe të rejat e qarkut të Gjirokastrës mund të paraqiten pranë nesh për të marrë të gjithë informacionin mbi kriteret e aplikimit dhe mundësitë që ofrojnë Forcat e Armatosura për t’u bërë pjesë e tyre. Kjo fushatë rekrutimi përfundon më 15 janar 2027. Janë 250 vende vakante për të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të bëhen pjesë e familjes sonë”, u shpreh majorë, Denisa Pëllumbaj.
Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të njiheshin më nga afër me misionin dhe organizimin e strukturave ushtarake, pajisjet dhe mjetet në përdorim. Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe ekspozita e armatimit dhe pajisjeve ushtarake, e cila u dha të rinjve mundësinë të shihnin nga afër një pjesë të mjeteve dhe kapaciteteve të Forcave të Armatosura.
“Në fakt, kjo fushatë ka filluar ditën e hënë dhe që prej asaj dite kemi pasur një interes të jashtëzakonshëm, sidomos nga gjinia femërore. Ato vijnë dhe pyesin se çfarë mundësish ofrojnë Forcat e Armatosura, cilat janë kriteret për të aplikuar, por sigurisht edhe çfarë përfitimesh ka një person në momentin që bëhet pjesë e jona”, tha ajo.
Aktiviteti është pjesë e fushatës së rekrutimit që zhvillohet nën sloganin “Zgjidh të shërbesh. Zgjidh të jesh pjesë e Forcave të Armatosura”. Në kuadër të kësaj fushate, Ministria e Mbrojtjes ka shpallur 250 vende vakante për rekrutë aktivë, duke synuar tërheqjen e të rinjve që dëshirojnë të angazhohen në shërbimin ushtarak dhe të ndërtojnë një të ardhme profesionale në radhët e Forcave të Armatosura.
Gazetare: Leonida Koçiu
/rtsh.al/
