Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime hetimore pas pranimit të informatave për të shtëna me armë zjarri gjatë një ahengu në Malishevë.
Sipas njoftimit të Policisë, më 30 tetor 2026, Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Malishevë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka kryer kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit të dyshuar.
Gjatë hetimeve, i dyshuari ka pranuar se posedonte armë ilegale, të cilat më pas i ka dorëzuar vullnetarisht në polici.
Bëhet fjalë për një pistoletë me karikator dhe një pushkë automatike me karikator.
Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë apel qytetarëve që të mos përdorin armë zjarri gjatë ahengjeve, duke paralajmëruar se një veprim i tillë paraqet rrezik serioz për jetën dhe sigurinë publike.
