Tre persona janë arrestuar nën dyshimin se janë përfshirë në të shtëna me armë zjarri në drejtim të katër personave në fshatin Strellc i Epërm të Deçanit.
Ngjarja ka ndodhur sot, rreth orës 05:00. Sipas Policisë së Kosovës, nga të shtënat nuk është raportuar për persona të lënduar.
Lajmin për tëvë1 e ka konfirmuar togeri Sheremet Elezaj nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë.
Ai ka bërë të ditur se, pas marrjes së njoftimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit kanë gjetur dy gëzhoja fisheku.
Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar, meshkuj të rritur, ndërsa ka sekuestruar edhe një pistoletë, për të cilën dyshohet se është përdorur në rast.
“Pas pranimit të njoftimit, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Deri tani janë arrestuar tre persona të dyshuar, meshkuj, madhorë si dhe është sekuestruar një armë zjarri, pistoletë, për të cilën dyshohet se është përdorur në rast.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja fisheku. Si pasojë e të shtënave nuk është raportuar për persona të lënduar”, deklaroi Elezaj.
Pas konsultimit me prokurorin kompetent, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.
“Në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rast ‘Vrasje në tentativë’”, tha Elezaj.
Ndërkohë, hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e ngjarjes.
