Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka zhvilluar të martën një denoncim publik nga zona e Xhafzotajt në Durrës, ku sipas tij duhet të ishte ndërtuar “Durana Tech Park”, një park teknologjik i prezantuar nga qeveria si qendër inovacioni dhe ekselence për bizneset e teknologjisë dhe start-up-et.
Blushi deklaroi se në terren nuk ekziston asnjë ndërtim dhe se zona është aktualisht një livadh, në kundërshtim me projektin 3D të prezantuar nga kryeministri Edi Rama në prill të vitit të kaluar. Sipas tij, qeveria kishte njoftuar asokohe se parku ishte funksional dhe se rezidentët e parë kishin marrë edhe certifikatat përkatëse.
Sipas denoncimit, “Durana Tech Park” gëzon status të veçantë ligjor bazuar në ligjin nr. 58/2021 dhe vendime të Këshillit të Ministrave, duke u ofruar kompanive përfituese lehtësira të konsiderueshme fiskale. Blushi pretendon se dhjetëra kompani, të cilat sipas tij nuk operojnë realisht në këtë zonë, janë regjistruar si rezidente për të përfituar përjashtime nga tatimi mbi fitimin, TVSH-ja, taksat mbi pagat, sigurimet shoqërore dhe taksat e pasurisë, për periudha nga 10 deri në 15 vite.
Ai akuzoi Korporatën Shqiptare të Investimeve, e drejtuar nga Elira Kokona, si dhe Shoqatën e Kompanive të Teknologjisë së Informacionit, për përfshirje në atë që e cilësoi si një “skemë abuzimi financiar”. Në deklaratë u përmendën gjithashtu emra dhe çështje nën hetim nga SPAK, për të cilat Blushi kërkoi verifikim të lidhjeve të mundshme me këtë projekt.
Blushi e krahasoi situatën me çështjen e inceneratorëve, duke theksuar se, sipas tij, parku teknologjik ekziston vetëm në dokumente dhe prezantime digjitale, ndërsa në realitet mungon çdo investim fizik. Ai i bëri thirrje Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të kryejë një verifikim në terren dhe të hetojë përfitimet fiskale të akorduara.


