LifeStyle

Teoria e Re Radikale, ofron një perspektivë shumë të ndryshme se çfarë është jeta

Zakonisht biologët e përkufizojnë ‘jetën’ si një entitet që riprodhohet, që i përgjigjet mjedisit të tij, që metabolizon kimikatet, konsumon energji dhe rritet. Sipas këtij modeli, ‘jeta’ është një gjendje binare; diçka është e gjallë ose jo. Ky përkufizim, funksionon shumë mirë në planetin Tokë, me viruset që janë një përjashtim i dukshëm.

Por nëse jeta është diku tjetër në Univers, ajo mund të mos përbëhet nga të njëjtat gjëra si ne. Ajo mund të mos duket, të lëvizë ose të mos komunikojë si ne. Atëherë, si do ta identifikojmë atë si jetë? Astrobiologia e Universitetit Shtetëror të Arizonës, Sara Uoker dhe kimisti i Universitetit të Gllasgout, Li Kronin, mendojnë se e kanë gjetur një mënyrë.

Ata argumentojnë se vetëm rastësia, nuk mund të prodhojë vazhdimisht molekula shumë komplekse, të cilat gjenden tek të gjitha krijesat e gjalla. Për të prodhuar miliarda kopje të objekteve të ndërlikuara si proteinat, duart e njeriut apo iPhone, universi ka nevojë për një “kujtesë” dhe për një mënyrë që të krijojë dhe riprodhojë informacione komplekse.

Një proces që tingëllon shumë si ‘jetë’. “Një elektron mund të krijohet kudo në Univers dhe nuk ka histori. Edhe ju si njeri jeni një objekt themelor, por me shumë varësi historike. Mund të dëshironi të citoni moshën tuaj, duke numëruar mbrapsht deri kur keni lindur. Por pjesët tuaja janë miliarda vjet më të vjetra. Nga kjo perspektivë, ne duhet të mendojmë për veten tonë si linja e përhapjes së informacionit, që përkohësisht e gjen veten të grumbulluar në një individ”-  thotë Uoker për “New Scientist”.

“Teoria e montimit” e Uoker dhe Kronin, parashikon që molekulat e prodhuara nga proceset biologjike, të jenë më komplekse se sa ato të prodhuara nga proceset jo-biologjike. Për ta testuar këtë teori, ekipi i tyre analizoi një sërë përbërjesh organike dhe inorganike nga e gjithë bota dhe hapësira e jashtme, përfshirë bakteret E. coli, majanë, urinën, ujin e detit, meteoritët, drogat, birrën e prodhuar në shtëpi dhe uiskin skocez.

Ata i shpërbënë komponimet në copa të veçanta, dhe përdorën spektrometrinë e masës për të identifikuar blloqet e tyre të ndërtimit molekular. Më pas llogaritën numrin më të vogël të hapave të nevojshëm për të ribashkuar çdo përbërje nga këto blloqe, të cilën e quajtën “Indeksi i Montimit Molekular”.

Komponimet e vetme me 15 ose më shumë hapa montimi, u panë tek sistemet e gjalla ose proceset teknologjike.”Mund të jetë një qelizë që ndërton molekula me një sistemi montimi kompleks si proteinat, apo një kimist që prodhon molekula me një vlerë montimi edhe më të lartë, siç është ilaçi kundër kancerit Taxol”- shpjegojnë Uoker dhe Kronin.

Ndërsa disa përbërës nga sistemet e gjalla kishin më pak se 15 hapa montimi, asnjë përbërje inorganike nuk e kaloi këtë prag. “Sistemi ynë, na lejon të kërkojmë në Univers në një mënyrë agnostike për prova të asaj që bën jeta, në vend se të përpiqemi të përcaktojmë se çfarë është jeta”- shkruan Uoker, Cronin dhe të tjerë në një artikull të botuar në “Nature Communications” në vitin 2021.

Bukuria e “Indeksit të Montimit”, është se nuk kërkon që alienët të përbëhen doemos nga të njëjtat materiale organike me bazë karboni si krijesat që jetojnë në Tokë. Po ashtu, ai është indiferent nëse jeta aliene sapo ka filluar të shfaqet, apo ka kaluar në një fazë teknologjike përtej të kuptuarit tonë.

Të gjitha këto gjendje prodhojnë molekula komplekse, gjë që nuk mund të kishte ndodhur pa një sistem të gjallë. Ekipi i Uoker dhe Kronin po e përdor këtë teori në misionet e ardhshme të NASA-s. Në mesin e viteve 2030, Dragonfly i NASA-s do të fluturojë nëpër atmosferën e trashë të Titanit me azot dhe metan, duke lëvizur nga një vend në tjetrin. Hëna e Saturnit, Titan, është i vetmi vend në Sistemin Diellor përveç Tokës që ka trupa të lëngshëm.

Ai ka liqene hidrokarburesh të lëngshme në sipërfaqen e tij, dhe mendohet se nën tokë ka ujë të lëngshëm. “Ne nuk presim që diçka si jeta e Tokës të evoluojë ose të jetojë në këtë mjedis. Ndaj nëse duam të zbulojmë nëse jeta është në Titan, na duhet një teknikë gnostike”- thotë Uoker. / Science Alert – Bota.al