ShowBizzz

“Tërmet” në Vizion Plus! Sezoni i ri sjell shkundje nga themelet: Do të konkurrojnë Top-Channel (Emrat)

Sezoni i ri televiziv pritet të sjellë ndryshime të mëdha në Vizion Plus. Televizioni po përgatitet për një riformatim që, sipas informacioneve të publikuara nga “Prive By Liberta Spahiu”, do të prekë një pjesë të konsiderueshme të skemës programore, por edhe emrat që do të shfaqen në ekran.

“Thuajse askush nga të vjetrit nuk është i sigurt. Ndryshimet do të jenë rrënjësore”, është shprehur një burim për “Prive By Liberta Spahiu”.

Në planet e reja pritet të përfshihen edhe disa prej personazheve që publiku i ndoqi gjatë edicionit të fundit të “Ferma VIP”. Disa prej tyre mund të marrin hapësira të reja televizive dhe të bëhen pjesë e imazhit që Vizion Plus kërkon të ndërtojë për sezonin e ardhshëm.

Një prej emrave që përmendet konkretisht është Kostana Morava. Sipas të njëjtave burime, gazetarja pritet të ketë emisionin e saj në Vizion Plus, ndërsa nuk do të jetë e vetmja ish-konkurrente e “Ferma VIP” që mund të marrë një angazhim në televizion.

Lëvizjet nuk pritet të kufizohen vetëm te moderatorët apo programet. Ndryshime raportohet se kanë ndodhur edhe në nivelet drejtuese të Vizion Plus, si pjesë e riorganizimit që më pas do të reflektohet në programacion.

Synimi i drejtuesve, sipas informacioneve që qarkullojnë, është që Vizion Plus të hyjë më fort në garën e audiencës gjatë sezonit të ri dhe të konkurrojë drejtpërdrejt me Top Channel dhe TV Klan, dy prej televizioneve kryesore në tregun shqiptar.

Ndërkohë, ditët e fundit është përfolur edhe emri i Bora Zemanit për një kalim të mundshëm në Vizion Plus, ku është aluduar se mund t’i besohet drejtimi i “Ferma VIP Club”. Deri tani, megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Skema e plotë dhe emrat e tjerë që do t’i bashkohen Vizion Plus po mbahen ende larg publikut. Me afrimin e sezonit të ri pritet të bëhet më e qartë se cilat prej figurave aktuale do të qëndrojnë, cilët emra të rinj do të afrohen dhe sa i gjerë do të jetë riformatimi i televizionit.

Të Ngjashme