Testi i dëgjimit që në lindje
Testimi i reflekseve akustike mund të jetë një mjet i dobishëm i shqyrtimit për zbulimin e hershëm dhe diagnozën e autizmit, sipas një hulumtimi të fundit. Studiuesit thonë se ekziston një lidhje e fortë midis mosfunksionimit auditiv dhe autizmit, duke sugjeruar se çështjet e dëgjimit të identifikuara në lindje mund të jenë tregues se a duhet të monitorohet fëmija për autizmin apo jo. “Ne e dimë se shumica dërrmuese e njerëzve me autizëm kanë disa lloje të problemeve të dëgjimit të lidhur me anomalitë në tru”, thotë mjeku Randy Kulesza. “Kjo do të thotë që këto probleme do të jenë të pranishme dhe të dukshme gjatë lindjes”. Ndërsa Kulesza vë në dukje se shumica e njerëzve me autizëm kanë probleme me dëgjimin, ai gjithashtu thekson që jo të gjithë njerëzit me probleme dëgjimi kanë autizëm. Por nga zbulimi i hershëm do të kishte shumë përfitime, pavarësisht nëse fëmija është i prekur ose jo nga autizmi.
Testi i dëgjimit mund të ndihmojë fëmijët me autizëm
“Sidomos në fillim të jetës, truri është shumë plastik, që do të thotë ndërhyrjet e duhura të hershme mund të trajtojnë me rezultat këto defiçite”, thotë Kulesza. “Shpesh, njerëzit me autizëm vuajnë nga mbindjeshmëria, që do të thotë edhe tingujt relativisht të qetë mund të ndjehen si zhurmë të madhe”, shpjegon Kulesza. “Nëse prindërit dhe mjekët e kuptojnë këtë që nga fillimi, ata mund të punojnë për të normalizuar ndjeshmërinë e fëmijës dhe për të bërë përvojën e tij ose të saj me botën shumë më pak intensive dhe të frikshme”.
Dr. Kulesza u kërkon mjekëve të përdorin një lloj testimi të dëgjimit, i njohur si testimi i reflekseve akustike, për të matur ndjeshmërinë dhe kohën e përgjigjes në një gamë të gjerë frekuencash. Ndërsa ekzistojnë lidhje të qarta midis çrregullimeve të spektrit të autizmit dhe mosfunksionimit të dëgjimit, nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar mënyrën më efektive për të përdorur ndërhyrje për ata që kanë probleme dëgjimi.