Lajme

Tetë vende të BE bëhen bashkë: Të vendosen sanksione kundër Serbisë!

Të paktën tetë vende anëtare të Bashkimit Evropian janë në favor të krijimit të një blloku vendesh evropianë që të vendosin masa ndëshkimore kundër Serbisë, ndërsa besojnë se ka prova të mjaftueshme që lidhin shtetin e Serbisë në përfshirjen e “sulmit terrorist” nga grupi i armatosur serb kundër policisë së Kosovës të dielën e 24 shtatorit, sipas burimeve diplomatike të BE në Bruksel, raporton agjencia DTT.net.

Burimet që mbetën anonimë, thanë për dtt-net.com se në takimin e 26 shtatorit të përfaqësuesve të 27 vendeve në Bruksel, të drejtuar nga zyrtarë të shërbimit të jashtëm, (EEAS), diplomatë të Holandës, Belgjikës, Finlandës, Letonisë, Lituanisë, Luksemburgut, Republikës Çeke dhe Polonisë thanë se BE duhet të konsiderojë “masat kundër Serbisë” përshkak të përfshirjës së autoriteteve të Beogradit në sulmin ku mbeti i vrarë një oficer i policisë kosovare dhe u plagos një tjetër në Zvecan.

Një ditë më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti i kërkoi SHBA, Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe të vendosin sanksione ndaj Serbisë sepse nëse kjo nuk do të ndodhë, Serbia do të ripërsërisë të njëjtën gjë.

Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin e armatosur në Banjskë. Gjatë një telefonate që ka zhvilluar dje me presidentin Vuçiç, Anthony Blinken ka theksuar se vendi duhet të mbajë përgjegjësi për sulmet.

“Fola me presidentin Vuçiç për të nënvizuar nevojën e menjëhershme për de-përshkallëzim të tensioneve me Kosovën dhe për të kërkuar llogari nga ata që janë përgjegjës për sulmet e funit të dhunshme. Gjithashtu, theksova rëndësinë e zbatimit të plotë të angazhimeve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE”, ka njoftuar Blinken pas telefonatës.