LifeStyle

The Weeknd zbulon historinë e pazakontë pas emrit të tij skenik

Muzikanti i njohur si The Weeknd ka rrëfyer historinë që fshihet pas emrit skenik që e ka shoqëruar që nga fillimi i karrierës së tij. Emri i tij i vërtetë është Abel Tesfaye, por pas emrit artistik fshihet një histori që daton që nga adoleshenca e tij.Tesfaye ka treguar se kur ishte 17 vjeç, vendosi të linte shkollën dhe të largohej nga shtëpia së bashku me Lamarin, një prej anëtarëve të ekipit të tij XO.

Të dy morën dyshekët nga shtëpitë e prindërve, i ngarkuan në furgonin e një shoku dhe u nisën për një fundjavë, pa e ditur se ajo do të shndërrohej në një largim përfundimtar nga shtëpia.

Pikërisht kjo histori frymëzoi emrin e tij të ardhshëm artistik. Fillimisht ai zgjodhi emrin “The Weekend”, pasi në atë periudhë nuk ishte veçanërisht i kënaqur me emrin e tij të vërtetë.

Më pas, ai hoqi shkronjën “e” nga “Weekend”, pasi një grup kanadez tashmë përdorte këtë emër. Kështu lindi emri The Weeknd, me të cilin ai do të bëhej një prej artistëve më të suksesshëm të muzikës bashkëkohore.

Pavarësisht se më herët kishte lënë të kuptohej se albumi “Hurry Up Tomorrow” mund të shënonte fundin e një epoke në karrierën e tij, The Weeknd ka bërë të qartë se nuk planifikon të largohet nga muzika.

Gjatë një koncerti të fundit në Suedi, ai u shpreh drejtpërdrejt para publikut se dashuria për muzikën e bën të pamundur një tërheqje përfundimtare nga skena.

“Nuk do të zhdukem kurrë. E dua këtë aq shumë sa nuk mund të largohem. E kam provuar pak se si është të jesh në pension dhe nuk më pëlqen ndjesia. Do të jem këtu me ju përgjithmonë”, tha ai.

Vitet e fundit, Tesfaye ka zgjeruar aktivitetin e tij edhe përtej muzikës, duke u angazhuar në projekte filmike dhe në aktrim.

Duke folur për bashkëpunimin me regjisorin Trey Shults, ai ka treguar se dëshironte t’i përkushtohej më shumë punës së tij si aktor dhe të mos shpërqendrohej nga ajo që ndodhte pas kamerave.

“Doja të bëja punën time si aktor”, është shprehur ai.

Tesfaye e ka përshkruar bashkëpunimin me Shults si një përvojë të lehtë dhe të këndshme, duke theksuar se mënyra e regjisorit për të punuar i dha atij hapësirën e nevojshme për t’u përqendruar te roli.

“Gjithmonë bëj shaka se Trey është si një mace kur drejton. Ai nuk dëshiron të përfshihet shumë në atë që ndodh para kamerës”, ka treguar këngëtari.

Sipas tij, kjo qasje e lejoi t’i kushtohej plotësisht interpretimit dhe të qëndronte i fokusuar te personazhi që po luante. /Telegrafi

Të Ngjashme