LifeStyle

Thembra të çara pas verës? Ja 3 hapa të thjeshtë për këmbë të buta dhe të hidratuara

Është koha të përballemi me të vërtetën: vera po shkon drejt fundit dhe bashkë me të edhe ditët e pushimeve. Përveç kujtimeve të bukura dhe asaj nostalgjisë së pashmangshme pas verës, shumë prej nesh kemi marrë me vete edhe një “dhuratë” tjetër nga pushimet: thembra të çara, lëkurë të thatë dhe këmbë që kanë parë ditë më të mira.

Dhe, le të jemi të sinqertë, nuk është çudi. Shëtitjet e gjata zbathur në plazh, rëra, dielli dhe sandalet kanë bërë të vetën. Tani që jemi rikthyer në rutinën e përditshme, është momenti t’u kushtojmë këmbëve pak më shumë kujdes. Ja si mund t’u riktheni butësinë dhe hidratimin në vetëm 3 hapa.

Hapi 1: Një banjë relaksuese për këmbët

Filloni duke i zhytur këmbët në ujë të ngrohtë dhe shtoni pak nga shkuma juaj e preferuar e banjës. Ky hap ndihmon në zbutjen e lëkurës dhe përgatit këmbët për trajtimin e mëtejshëm.

Këshillë: Shtoni pak kripëra banje për një eksperiencë edhe më relaksuese, si një mini-spa në shtëpi.

Hapi 2: Eksfolimi është thelbësor

Pasi lëkura të jetë zbutur, përdorni një scrub për të larguar qelizat e vdekura. Më pas, fokusohuni te thembrat dhe zonat më të ashpra duke përdorur me kujdes një gur shtufi ose një mjet të butë eksfoliues.

Mos e teproni me fërkimin, pasi qëllimi është të hiqni lëkurën e vdekur, jo të irritoni atë të shëndetshmen.

Hapi 3: Jepuni këmbëve hidratimin që meritojnë

Hidratimi është hapi që nuk duhet anashkaluar, sidomos pas një vere të tërë me diell, rërë dhe shumë kilometra ecje. Aplikoni një krem të pasur për këmbët, duke u fokusuar veçanërisht te thembrat dhe zonat e thata.

Truku për rezultate edhe më të mira: Para se të flini, aplikoni një shtresë kremi dhe vishni një palë çorape pambuku. Lërini gjatë natës dhe, në mëngjes, këmbët tuaja mund të jenë dukshëm më të buta dhe të hidratuara.

Fundja, vera mund të ketë mbaruar, por kjo nuk do të thotë që duhet t’i lini këmbët të mbajnë përgjithmonë “gjurmët” e saj.

Të Ngjashme