Lajme

​Thirrje institucioneve publike për publikim pro-aktiv të informatave

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Qasje Universale në Informacion, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), u bën thirrje institucioneve publike që të rrisin transparencën dhe llogaridhënien përmes publikimit pro-aktiv të informacioneve me vetiniciativë.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite, agjencia, me moton “Transparenca për të gjithë; Dokumentet Publike Janë Tuajat”, ka organizuar “Javën e Qasjes në Dokumente Publike” gjatë së cilës janë mbajtur tryeza diskutimi me pjesëmarrje të udhëheqësve të institucioneve të pavarura, kryetarëve dhe përfaqësuesve të komunave, sekretarëve të përgjithshëm të ministrive, përfaqësuesve të sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës, agjencive rregullatore dhe ekzekutive, mediave dhe shoqërisë civile.

Agjencia për Informim dhe Privatësi do të vazhdojë përpjekjet të shërbejë si organ për të siguruar promovimin e së drejtës për informim, e garantuar me Kushtetutë dhe e mbrojtur me konventa ndërkombëtare.

Përgjatë periudhës janar-gusht 2024, agjencia ka regjistruar 500 ankesa në lidhje me mohimin e qasjes në dokumente publike, krahasuar me 552 gjatë 2023, e cila tregon nevojën urgjente për përkushtim më të madh nga institucionet publike në trajtimin e kërkesave për qasje në dokumente publike.

Agjencia për Informim dhe Privatësi thotë se institucionet publike duhet të përmbushin obligimet ligjore duke kryer testin e dëmit dhe interesit publik, i cili vlerëson dëmin që i shkaktohet interesit të mbrojtur përballë interesit publik, para se të vendosin për refuzimin e publikimit pro-aktiv të dokumenteve publike dhe para marrjes së vendimeve për refuzimin e kërkesave për qasje në dokumente publike.

Për më tepër, Agjencia për Informim dhe Privatësi thotë se programi i transparencës, i cili synon nxitjen e publikimit proaktiv dhe me vetiniciativë të dokumenteve nga institucionet publike, do të kontribuojë në reduktimin e kërkesave burokratike për qasje në dokumente publike, duke forcuar transparencën institucionale.

Ndryshe, Agjencia për Informim dhe Privatësi është institucion përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.