Lajme

“T’i vrasim vëllanë, nënën, babanë”, zbulohen mesazhet në Sky Ecc; si u kërcënua dëshmitari nga klani Skaljari

Dëshmia e Millosh Gjuriçkoviçit për vrasjen e Shçepan Roganoviçit alarmoi anëtarët e grupit kriminal. Në komunikimet e zhvilluara në “Sky”, ata diskutuan vrasjen e familjarëve të tij, presionin ndaj dëshmitarit dhe përpjekjet për t’i imponuar një avokat që do të kontrollonte deklarimet e tij para hetuesve…

“T’i vrasim atë vëllanë e sëmurë! Edhe nënën, edhe babanë. Nuk e dimë kë tjetër ka, por të gjithë duhen vrarë…”

Ky është një nga mesazhet e shkëmbyera më 25 mars 2020 mes personave të lidhur me klanin Škaljari, pasi Millosh Gjuriçkoviç, i njohur si Gjula, kishte folur para hetuesve për vrasjen e Shçepan Roganoviçit nga Herceg Novi.

Sipas komunikimeve të publikuara nga media malazeze, propozimi për të vrarë familjarët e dëshmitarit bashkëpunëtor erdhi nga një person që përdorte pseudonimin “Jerry” në aplikacionin e koduar “Sky”.

“Po, vëlla, të gjithë”, ishte përgjigjja e Mili Bajramoviçit, i cili komunikonte me pseudonimin “Ramiz Karaeski”.

Bajramoviç është dënuar më pas për vrasjen e Roganoviçit.

Dëshmia që vuri në alarm grupin

Komunikimet tregojnë se anëtarët e grupit po diskutonin informacionet që Gjuriçkoviç u kishte dhënë hetuesve për vrasjen.

Në biseda shfaqet edhe shqetësimi për provat që mund t’i çonin autoritetet te personat e përfshirë.

Bajramoviç i shkruante Kërsto Vujiçit, tashmë i ndjerë, për një furgon që ishte përdorur për transportimin e një motoçiklete.

“Vëlla, dëgjo… Savo më pyeti më parë për furgonin, nëse duhet ta largojë, atë furgonin që transportoi motorin”, shkruante ai.

Bajramoviç shpjegonte më tej se i njëjti person kishte në pronësi edhe automjetin e burrit që e kishte marrë atë në Grahovo. Sipas tij, Gjuriçkoviç mund ta kishte parë dhe përmendur këtë person gjatë dëshmisë.

Frika ishte e qartë: hetuesit mund të kishin marrë informacione për automjetet e përdorura dhe personat e përfshirë.

“T’i vrasim të gjithë”

Ndërsa informacionet e dhëna nga Gjuriçkoviç diskutoheshin në grup, toni i komunikimeve u ashpërsua.

“Jerry” pyeti nëse dëshmitari kishte marrë avokat dhe, pasi Bajramoviç i tregoi se situata ishte përkeqësuar, ai propozoi goditjen e familjes së Gjuriçkoviçit.

“T’i vrasim atë vëllanë e sëmurë! Edhe nënën, edhe babanë. Nuk e dimë kë tjetër ka, por të gjithë duhen vrarë…”, shkruante ai.

“Po, vëlla, të gjithë”, iu përgjigj Bajramoviç.

Komunikimet përmbajnë edhe kërcënime të tjera të rënda ndaj dëshmitarit. Bajramoviç dhe Vujiç diskutonin se si t’ia “nxinin jetën” Gjuriçkoviçit dhe përdornin kërcënime ekstreme ndaj tij.

Ata diskutuan gjithashtu mundësinë e denoncimit të familjarëve të tij pranë autoriteteve amerikane të emigracionit, me synimin që ata të dëboheshin nga Shtetet e Bashkuara.

Presion familjes: “Bindeni të ndryshojë dëshminë”

Por kërcënimet nuk ishin e vetmja mënyrë presioni që diskutohej.

Bajramoviç i dërgoi Vujiçit edhe tekstin e një mesazhi që, sipas tij, kishte përgatitur për t’ia dërguar familjes së Gjuriçkoviçit.

Në mesazh pretendohej se dëshmitari kishte “shkatërruar shumë familje” me deklarimet e tij dhe familjarëve u kërkohej të ndërhynin menjëherë.

Synimi ishte që Gjuriçkoviç të tërhiqte ose ndryshonte dëshminë dhe të zëvendësonte avokatin.

Në tekst pretendohej gjithashtu se ai ishte manipuluar nga policia, prokuroria dhe persona të tjerë. Këto ishin pretendime të personave që komunikonin në “Sky” dhe jo përfundime të autoriteteve.

Tentativa për t’i çuar “avokatin e tyre”

Nga komunikimet del se grupi po përpiqej prej disa ditësh t’i siguronte Gjuriçkoviçit një avokat.

Qëllimi, sipas materialeve të publikuara, ishte që përmes mbrojtësit të kontrollohej se çfarë do t’u tregonte dëshmitari hetuesve.

Por Gjuriçkoviç refuzonte.

Në një prej bisedave, anëtarët e grupit diskutonin edhe faktin se ai kishte zgjedhur si avokat një person që përshkruhej si kumbar i kryeprokurorit të atëhershëm special, Milivoje Katniç.

Në komunikime shfaqet edhe emri i Igor Glavashit, të cilin pjesëtarët e grupit e quanin “Hercegovac”. Ai është një prej personave të dënuar më pas në çështjen e vrasjes së Roganoviçit.

40 vite burg për Bajramoviçin

Mili Bajramoviç është dënuar me një dënim unik prej 40 vitesh burg për vrasjen e rëndë të Shçepan Roganoviçit dhe krijimin e një organizate kriminale.

Me të njëjtin vendim, Igor Vukotiç u dënua me tetë vite burg për anëtarësim në organizatë kriminale.

Dino Ibrahimoviç, Sllavko Radulloviç dhe Millosh Gvozdenoviç morën nga pesë vite burg, ndërsa Millosh Komar u dënua me katër vite.

Marko Radoviç u dënua me gjashtë vite burg, ndërsa gjykata rrëzoi akuzën ndaj dëshmitarit bashkëpunëtor.

Igor Glavash u dënua me 25 vite burg për krijimin e një organizate kriminale dhe vrasje të rëndë nëpërmjet ndihmës.

Procedimi ndaj Kërsto Vujiçit u pushua pasi ai u vra në Spanjë.

Komunikimet e publikuara tregojnë se dëshmia e Gjuriçkoviçit kishte shkaktuar shqetësim të madh mes personave të përfshirë: nga diskutimet për zhdukjen e automjeteve dhe përpjekjet për të ndikuar te avokati, deri te presioni ndaj familjes dhe kërcënimet për vrasjen e anëtarëve të saj. /Përshtatur nga Vijesti/

Të Ngjashme