
Prej mbrëmjes së djeshme, me mbërritjen e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, masat e sigurisë janë shtuar në kryeqytet.
Prej rreth një ore presidenti i Ukrainës është duke zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama në Kryeministri, ndërsa jashtë godinës ka forca të shumta policie. E teksa liderët janë duke zhvilluar një takim, në tarracën e godinës së Universitetit të Politeknikut janë vendosur snajperat.

Në bulevardin Dëshmorët e Kombit është bllokuar qarkullimi i automjete, ndërsa janë vendosur forca të shumta policie për mbarëvajtjen e sigurisë së Samitit Ukrainë-Evropajuglindore.
Po ashtu LSA ka publikuar disa foto, ku shihet se ka gardhe metalike nga Bulevardi te Kryeministria. Po të njëjtat masa janë marrë edhe te Pallati i Kongreseve, ku në orën 11.00 nis Samiti i Ukrainës, e ku pjesëmarrës do jenë liderët e disa shteteve.
Pak më herët pamë që edhe kur Zelensky shkjoi në Kryeministri shoqërohej nga një numër i lartë makinash policie. Ndërsa forcat RENEA dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, të cilave u janë bashkëngjitur edhe forca të sigurisë ukrainase janë në gatishmëri për të siguruar mbarëvajtjen e të gjithë takimit dhe samitin. Ndër të tjera është bërë me dije se rreth 1500 efektivë të policisë do të jenë në terren ditën e sotme.
Policia ka njoftuar se sot do të ketë bllokime të rrugëve me afat të shkurtër kohor, për qëllime sigurie në rrugëkalimin e delegacioneve që vijnë nga aeroporti “Nënë Tereza” dhe pikat e tjera të kalimit kufitar në drejtim të Tiranës, në varësi të kohës së lëvizjes së tyre.
Rrugët ku do të ketë ndalim qarkullimi nga ora 08:00 e datës 28 shkurt deri në orën 16:00 të datës 29 shkurt konkretisht:
Rruga “Dervish Hima” nga Rruga e Elbasanit deri tek Coin;
Rruga “Papa Gjon Pali II”, nga RTSH deri tek Coin;
Rruga “Abdyl Frashëri”, nga kryqëzimi i Librit Universitar deri tek Presidenca;
Rruga “Ukraina e lirë”, nga Gjykata Kushtetuese deri tek Vila 30;
Rruga “Themistokli Gërmenji”, nga Rruga e Elbasanit deri tek rruga “Papa Gjon Pali II”;
Rruga “Faik Konica”, nga degëzimi i Ambasador 3 deri tek rruga “Dervish Hima”;
Rruga “ Gjergj Filipi”, sheshi “Italia”, nga rruga “Faik Konica” deri tek hotel “Mariot”;
Blevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e ish-hotel Dajtit deri tek sheshi “Nënë Tereza”;
Për qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 28 dhe 29, gjatë fashës orare të bllokimit të rrugëve, do të ndjekin përkatësisht drejtimin:
Vorë – Fushë Prezë – Rinas dhe kthim;
Fushë Krujë – Valias – Rinas dhe kthim;
Nga Juglindja dhe Tirana, do të ndjekin Unazën lindore – Farmacia 10 – Stacioni i Trenit – Bulevardi i Ri – Paskuqan – Kamëz – Valias – aeroporti “Nënë Tereza” dhe kthim në të njëjtin itenerar.
Për banorët dhe automjetet që gjenden në rrugët dhe blloqet e banimit, brenda perimetrit të sigurisë dhe rrugëve me bllokime të gjata në kohë, në varësi të agjendës së delegacioneve, me miratimin e drejtuesve të shërbimeve, do të lejohen të hynë dhe dalin, përkatësisht nga:
a)Blloku i banimit tek “Ambasador 3”, nga rruga “Sheh Ahmet Pazar” ose Faik Konica;
b) Blloku i banimit në rrugët “Themistokli Gërmenji”, “Jul Variboba”, “Fatmir Haxhiu” dhe “Papa Gjon Pali II”, në drejtim hyrës dhe dalës drejt Rrugës së Elbasanit;
c)Blloku i banimit tek dy kullat në rrugën “Ismail Qemali” dhe “Ukraina e lirë”, në drejtim hyrës dhe dalës të kufizuar nga shërbimet e sigurisë dhe dalje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas kthim i detyruar drejt bulevardit “Bajram Curri”;
d)Rruga “Lek Dugagjini” (para Universitetit) duke vijuar në rrugën “Faik Konica” (pas stadiumit), me dalje në Rrugën e Elbasanit, do të jetë e lirë për kalimin e mjeteve dhe qytetarëve (përjashto rastet kur ka kufizim në Rrugën e Elbasanit).
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo