06.08.2026 – 23:13
Mediat gjermane publikojnë detaje për aksidentin ku humbën jetën tre mërgimtarë nga Komogllava e Ferizajt
Tre persona nga një familje me prejardhje nga Komogllava e Ferizajt kanë humbur jetën në një aksident tragjik në Gjermani, teksa po ktheheshin nga Kosova.
Viktimat janë Tahir Aliu (61 vjeç), djali i tij Gentian Aliu (34 vjeç) dhe Laurenti Aliu (16 vjeç), djali i Bardhyl Aliut.
Për aksidentin kanë raportuar edhe mediat gjermane.
Sipas BR.de, ngjarja ka ndodhur të enjten në mëngjes në autostradën A3, pranë Nittendorfit në rrethin e Regensburgut.
Sipas raportimit, automjeti doli nga rruga për arsye që ende nuk janë sqaruar, rrëshqiti poshtë një argjinature dhe ra mbi shinat hekurudhore që kalojnë nën autostradë, ku u ndal në buzë të binarëve.
Të tre personat që ndodheshin në automjet humbën jetën si pasojë e plagëve të marra.
Operacioni i shpëtimit ishte i vështirë, pasi viktimat mbetën të bllokuara në automjet dhe u desh ndërhyrja e një vinçi për nxjerrjen e tij.
Për shkak të aksidentit u mbyllën për disa orë si autostrada A3 në drejtim të Nurembergut, ashtu edhe linja hekurudhore Regensburg–Nuremberg.
Po ashtu, një tren me rreth 80 pasagjerë mbeti pa energji elektrike pasi u dëmtua linja ajrore e furnizimit.
Pasagjerët u evakuuan dhe u transferuan në një tren tjetër, ndërsa treni i bllokuar u tërhoq më pas nga një lokomotivë me naftë.
Policia gjermane ka bërë të ditur se shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se automjeti ishte i vetmi i përfshirë në aksident.
Me urdhër të Prokurorisë së Regensburgut është angazhuar një ekspert për rindërtimin e rrethanave të aksidentit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
06.08.2026 – 23:12
Tragjedi në Gjermani: Po ktheheshin nga Kosova, tre mërgimtarë vdesin në aksident
Tre persona nga një familje me prejardhje nga Komogllava e Ferizajt kanë humbur jetën në një aksident tragjik në Gjermani, teksa po ktheheshin nga Kosova.
Lajmin e ka bërë të ditur i bashkëvendasi i tyre, Qerim Rexhepi, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Sipas tij, viktimat janë Tahir Aliu, 61 vjeç, djali i tij Gentian Aliu, 34 vjeç, si dhe Laurenti Aliu, 16 vjeç.
“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se ka ndodhur një aksident me pasoja tragjike në Gjermani, duke u kthyer nga Kosova vëllezërit tanë. Kanë ndërruar jetë: vëllai i Remzi Aliut, Tahiri 61 vjeç, djali i Tahirit, Gentiani 34 vjeç, si dhe djali i Bardhylit, Laurenti 16 vjeç”, ka shkruar Rexhepi.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve, banorëve të lagjes Nuhaj në Komogllavë dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo tragjedi.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura rrethanat e aksidentit nga autoritetet gjermane.
