Lajme

Tragjedia që mori jetën e dy të rinjve shqiptarë në Itali, sigurimi paguan miliona për familjet

Rreth 18 muaj pas aksidentit tragjik në autostradën A22 në veri të Italisë, familjet e dy të rinjve me origjinë nga Kosova, V. X. dhe D. S., kanë marrë dëmshpërblim në vlerë të përgjithshme prej 2 milionë eurosh.

Dy punëtorët, përkatësisht 21 dhe 23 vjeç, humbën jetën më 30 maj 2025 në një aksident të rëndë mes Chiusës dhe Bressanones, ndërsa po udhëtonin për në punë. Kompensimi është paguar nga kompania e sigurimeve e automjetit të kompanisë ku punonin dy të rinjtë dhe lidhet me dëmin e shkaktuar familjeve nga humbja e të afërmve.

V.X. ishte me prejardhje nga Malisheva, ndërsa D. S. nga Deçani. Të dy kishin jetuar prej kohësh në zonën e Bolzanos dhe punonin në sektorin e ndërtimit.

Mediat italiane raportuan pas tragjedisë se ata kishin nisur të punonin për kompaninë lokale që në moshë të re. Pronari i kompanisë, E. V., kishte deklaruar atëherë se i njihte prej vitesh dhe i kishte përshkruar si punëtorë shumë të mirë.

Aksidenti kishte ndodhur rreth orës 06:40 të mëngjesit, teksa automjeti i kompanisë po lëvizte në drejtim të veriut, nga Bolzano drejt zonës së Brunicos, ku punëtorët duhej të shkonin në një kantier.

Sipas rindërtimit të ngjarjes të publikuar nga mediat italiane, kolegu që drejtonte furgonin kishte nisur të kthehej nga korsia e parakalimit në korsinë normale të lëvizjes, por përpara ndodhej një kolonë kamionësh që po lëviznin ngadalë. Automjeti nuk arriti ta shmangte përplasjen dhe goditi pjesën e pasme të një kamioni me targa rumune.

Të Ngjashme