Lajme

Trajnimet për psikologët, kryetarja e shkarkuar Valbona Treska: I kërkon ligji

Valbona Treska u shkarkua ditë më parë pasi sipas disa prej psikologëve ajo ka uzurpuar urdhrin e institucionit si dhe ka rritur tarifat e kuotizimit. Për të folur mbi këtë ngjarje të ftuar mbrëmjen e sotme në studion e “Opinion” kanë qenë tre psikologë dhe një avokat, mes tyre edhe Treska, e cila nuk pranon faktin se është shkarkuar.

Psikologët e akuzojnë Treskën se për një trajnim ajo merrte 150 mijë lekë të reja dhe se detyronte psikologët që të bëheshin pjesë e këtij trajnimi.

Nga ana tjetër, Treska tha se këto trajnime kryehen pasi disa psikologë punojnë si ekspertë pranë sistemit të drejtësisë dhe se janë të përcaktuara me ligj.

 “Bëjmë trajnimin që disa psikologë të punojnë si ekspertë pranë sistemit të drejtësisë, sepse e përcakton ligji. Ky trajnim me 16 veta, janë 120 orë trajnim, 13 lektorë, 12 fundjava”, tha Treska.

Psikologët mblodhën më 27 janar Asamblenë e Përgjithshme ku dhe kërkuan shkarkimin e presidentes Valbona Treska, ku sipas tyre ka uzurpuar urdhrin, ka bërë emërime në punë jashtë çdo kriteri dhe ka zhvilluar trajnime të cilat nuk janë të parashikuara në ligj.

Një e treta e urdhrit, pra rreth 521 anëtarë nga 1600 që janë gjithsej, firmosën për mbledhjen e asamblesë dhe shkarkimin e presidentes, e cila qëndron në krye të urdhrit që prej vitit 2017.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo