Shoqata e Transportit Urban paralajmëron se rritja e TVSH-së nga 20% në 21% mund të sjellë shtrenjtimin e biletës së autobusit. Kreu i shoqatës, Kostandin Foni i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, deklaroi se çmimi mund të shkojë deri në 60 apo 80 lekë, në varësi të kostove, nëse nuk merren masa për lehtësimin fiskal të sektorit.
Foni kërkon që TVSH-ja për transportin publik të reduktohet nga 20% në 6%, duke argumentuar se rritja e taksës do të rëndojë kostot e operatorëve dhe, për rrjedhojë, edhe xhepat e qytetarëve. Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban, Kostandi Foni, deklaroi se kjo kërkesë është ngritur prej vitesh dhe nuk lidhet vetëm me diskutimet e fundit për paketën e re fiskale të vitit 2027.
“Në janar pritet që të shkojë TVSH-ja, tatimi mbi vlerën e shtuar, në masën 21% dhe ne kemi kërkuar që të jetë në masën 6%. Kjo kërkesë nuk ka ardhur në këtë moment që kryeministri ka vendosur që të ketë një paketë fiskale të re për vitin 2027. Kjo kërkesë e jona, jo vetëm kjo, por edhe akciza e karburantit, ka qenë prej vitesh. Pra, kanë qenë kërkesa të vazhdueshme në mënyrë që të implementohet në këtë sektor, siç e kanë vendet e rajonit”, tha Foni.
Foni thekson se transporti publik duhet të përfshihet në paketën e re fiskale, për shkak të rëndësisë që ka për qytetarët dhe ekonominë.
“Në rast se në këtë moment është duke u diskutuar për të marrë një vendim për paketën fiskale, patjetër që transporti publik, aq esencial dhe jetik sa është për qytetarët, duhet të futet në shportën e paketës fiskale. Pra, TVSH-ja duhet të reduktohet nga 20% në 6% në shitje për operatorët. Mund të themi se në janar mund të shkojmë drejt rritjes së çmimit të biletës së autobusit”, u shpreh ai.
Sipas tij, çmimi aktual i biletës përcaktohet nga kontratat e operatorëve dhe vendimet e Këshillit Bashkiak. Foni shpjegon se bileta prej 40 lekësh përfshin TVSH-në, ndërsa vlera pa këtë taksë është 33.3 lekë.
“Operatorët kanë një çmim të paracaktuar në kontratë dhe në VKB, në vendimin e Këshillit Bashkiak. Shprehet se bileta do të jetë 40 lekë. 33.3 lekë është pa TVSH, duke shtuar 20% TVSH shkon 40 lekë. Në këtë moment, automatikisht do të mblidhet Këshilli Bashkiak, pra do të vendosë çmimin e biletës sa do të jetë plus 21% që do të shtohet TVSH-ja. Pra, automatikisht çmimi i biletës duhet të ndryshojë, jo se e ndryshojnë operatorët”, deklaroi Foni.
Kreu i shoqatës nënvizon se operatorët nuk kërkojnë subvencione apo mbështetje financiare nga qeveria qendrore dhe ajo vendore, por lehtësim të barrës fiskale, në mënyrë që rritja e kostove të mos përkthehet në shtrenjtim të biletës.
“Prandaj edhe ne po e ngremë zërin akoma më shumë në këto momente, pasi duhet të merren masat në mënyrë që të mos preken xhepat e qytetarëve për rritjen e çmimit të biletës. Ne nuk e duam rritjen e çmimit të biletës, as po kërkojmë lekë nga qeveria vendore apo qendrore. Ajo që kërkojmë është lehtësimi i barrës fiskale për këtë sektor, siç është edhe në vendet e rajonit”, nënvizoi Foni.
I pyetur për masën e mundshme të shtrenjtimit, Foni tha se ende nuk ka një përllogaritje përfundimtare, pasi përveç TVSH-së, operatorët përballen edhe me shpenzime të tjera që mund të rriten.
“Aq sa do të rritet TVSH-ja, por jo vetëm TVSH-ja, edhe shpenzimet e tjera të cilat ka ky sektor, patjetër që do të kenë rritjen e vet. Nuk mund të themi që kemi bërë një përllogaritje me rritjen e TVSH-së, pasi na erdhi në një moment të papritur”, tha ai, teksa shprehu shqetësimin për faktin se përfaqësuesit e sektorit nuk janë përfshirë në diskutimet për ndryshimet fiskale, pavarësisht numrit të lartë të qytetarëve që përdorin këtë shërbim. Ai u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Financave dhe bashkitë, që të marrin në konsideratë ndikimin që mund të ketë kjo masë te qytetarët.
“Për këtë arsye ne po e ngremë zërin në mënyrë që të dëgjohemi edhe ata që marrin vendime të tilla, si në drejtorinë e transportit të bashkive përkatëse, por edhe në Ministrinë e Financave, që ndoshta duhet të dalin edhe ata në terren, të shikojnë se cila popullsi e frekuenton këtë shërbim dhe të jenë bashkë me qytetarët, jo t’i prekim në xhepat e tyre”, theksoi Foni.
Ky i fundit paralajmëroi se, në varësi të kostove shtesë që do të përballojnë operatorët, çmimi i biletës mund të arrijë në 60 apo edhe 80 lekë. Megjithatë, ai sqaroi se këto janë vetëm skenarë të mundshëm dhe jo vendime të marra.
“Mund të shkojë, për shembull, të themi, ky është thjesht një hamendësim, 600 lekë të vjetra, 60 lekë bileta. Po mund të shkojë 60, mund të shkojë 80. Kjo është patjetër. Kjo është në varësi të kostove të shtuara, të shpenzimeve të shtuara për këtë sektor. Pra, nuk është se e marrim ne këtë vendim. Do të ulemi më pas me specialistët e transportit, specialistët financiarë, në mënyrë që të dalë një kosto”, u shreh Foni. Ai theksoi se vendimi përfundimtar për çmimin e ri të biletës do t’i takojë Këshillit Bashkiak, pas përcaktimit të ndryshimeve fiskale.
