Lajme

“Tre skenarë”/ Përmendja e “arrestimit” të Kurtit, analistët: KFOR nuk ka mandat për këtë!

Çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve po del të jetë “temë e nxehtë”. Madje, po përcillet edhe me deklarata e qëndrime të ashpra. 

Kështu, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, edhe kryeministri i Kosovës mund të “arrestohet”/”ndalohet” nga KFOR-i nëse është i përfshirë në destabilizimin e vendit.

“...Sovranitetin dhe integritetin territorial e kemi të bartur të KFOR-i.

Këta në moment të caktuar urdhërojnë, bëjnë biseda dhe të urdhërojnë, ta urdhërojnë edhe kryeministri, edhe ta arrestojnë kryeministrin. Ka të drejtë. Detyrë e ka (ta arrestojë). Nëse vjen deri te destabilizimi total i situatës që ata kanë investuar edhe në aspektin ushtarak edhe në aspektin financiar… e ndalon ta quajë, jo ta burgosë, e ndalon në veprim”, ka shtuar Kryeziu.

Burjani: KFOR asnjëherë nuk do të përfshihet në politik

Image
Blerim Burjani

Por, duke e komentuar këtë deklaratë, njohësi i çështjeve të drejtësisë, Blerim Burjani në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, deklaron se KFOR nuk ka përgjegjësi të arrestojë dikë sepse ai vepron në bazë të rezolutës 1244, duke shtuar se një sjellje e mundshme e tillë e KFOR vlerësohet si puq ndërkombëtarë ndaj institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike nga populli.

KFOR është përgjegjës ekskluzivisht për pjesën e sigurisë me Rezol.1244, kurrfarë mandati tjetër nuk ka, asnjëherë nuk do të ndodhë me këtë mandat të KFOR-it që të arrestojë ndonjë zyrtar të lartë publik, e lëre më kryeministrin, KFOR ka mandat ushtarak, çdo sjellje e mundshme e tillë e KFOR vlerësohet si puq ndërkombëtarë ndaj institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike nga populli, KFOR asnjëherë nuk do të përfshihet në politik, ata kanë mandat të saktë dhe e respektojnë atë, nëse prishet siguria munden të marrin masa të ndalimit të policisë së Kosovës ose FSK nëse shkelen marrëveshjet që janë në fuqi si marrëveshja për FSK të mos intervenojë në veri”, thotë ai.

Sipas tij, KFOR mund të ndalojë persona dhe institucione të frekuentojnë urën, vetëm në raste kur ajo tentohet të kalohet me dhunë, duke përmendur një rast me Haradinajn.

KFOR mund të ndaloj frekuentimin mbi urë të gjithë institucioneve të Kosovës, individët në raste të vlerësimit të rrezikshmërisë, nëse tentohet me dhunë mund të ndaloj, ajo ka ndodhë në vitet e pas luftës me Ramush Haradinaj ku është shkaktuar një rrahje me KFOR dhe e kane liruar menjëherë, siç dihet KFOR nuk ka burgje e as nuk është mision civil.

Rasti me Haradinaj ka ndodhë kur Kosova ishte nën UNMIK, pra, në qeverisje të UNMIK, sot Kosova ka institucione të saja legjitime dhe fuqiplotë”, përfundon ai.

Bilalli: Kjo deklaratë nuk është një analizë e thellë dhe bindëse se si dhe në cilat raste mund të ndodh ky akt

Image
Lutfi Bilalli

Lutfi Bilalli, njohës i marrëdhënieve diplomatike, ka thënë se deklarata e tillë nuk është e thellë dhe bindëse, duke thënë po ashtu se ajo nuk paraqet ndonjë element të natyrës ligjore apo dispozitave kushtetuese.

“Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu: KFOR-i mund ta “arrestojë” edhe kryeministrin, nëse e destabilizon situatën!

Por z. Kryeziu nuk ka dhënë një analizë më të thellë dhe bindëse se si dhe në cilat raste mund të ndodh ky akt. Unë mendoj se një deklaratë e tillë nuk paraqet ndonjë element të natyrës ligjore apo dispozitave kushtetuese edhe pse forcat e KFOR-it kanë një mandat me Rezolutën 1244 për të mbikëqyrur sigurinë dhe stabilitetin e aspektin ushtarak të kufijve të Kosovës, që nënkupton se forcat e KFOR-it nuk involvohen në proceset politike!”, shprehet ai.

Tutje, ai tregon edhe tre skenarë në rast arrestimi të kryeministrit.

Por, ai shton edhe një gjë, se “nuk dua të besojë që dikush nga figurat institucionale dhe sidomos nga ekzekutivi i vendit tenton të luaj me fatin e shtetit”.

“A mund të ndodhë dhe kur arrestimi i Kryeministrit (në një rast hipotetik por jo vetem hipotetik) nga ana e forcave të KFOR-it, sipas mendimit tim janë tre skenarë që mund të sjellin deri te akti i “arrestimit” te Kryeministrit të vendit:

a) Në rast se KM i Kosovës jep urdhër forcave të policisë dhe FSK-së që në rastin konkret të “hapet me forcë ” Ura e Ibrit, që nënkupton ballafaqim direkt me forcat e KFOR-it!?

b) Në rast se Kryeministri i vendit thërret në “rebelim” kundër pranisë ndërkombëtare dhe KFOR-it!

c) Apo në rast se forcat ndërkombëtare kanë informacione të sakta se KM i Kosovës është një person që lidh aleancë të hapur apo fshehurazi dhe ka lidhje të drejtpërdrejta dhe bashkëpunon ngushtë dhe iu japë informacione të klasifikuara kundërshtarëve të NATO-s dhe SHBA-ve (e gjitha kjo në situata lufte apo tensionesh globale)!

Mos të harrojmë se në dispozitat (kaptnen) e Kushtetutës së Republikës së Kosovës që ka të bëjë me praninë ndërkombëtare në Kosovë, forcat ndërkombëtare dhe misionet e tyre kanë imunitet ndaj ligjeve vendore dhe dispozitat ligjet ndërkombëtare dominojnë mbi ato vendore (në rast paqartësie)!

Përndryshe vetë një figurë e çmendur mund të hyjë në një aventurë të tillë për të rrezikuar të ardhmen e popullit dhe shtetit! Nuk dua të besojë që dikush nga figurat institucionale dhe sidomos nga ekzekutivi i vendit tenton të luaj me fatin e shtetit”, përmbyll ai për “Bota sot”.