Kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, ka dhënë detaje pas avarisë së 7 tetorit e cila shkaktoi ndërprerjen e energjisë elektrike në dy njësi të ndërmarrjes, ku për pasojë mbetën të ngujuar 63 minatorë në horizontin e tetë të gjigantit metarlugjik.
Ai ka thënë se pas rregullimit të trafos dhe kyçjes së energjisë, të gjithë minatorët kanë dalë shëndoshë e mirë.
Ahmeti jep detaje për ditën ku mbetën të ngujuar 63 minatorë në Minierë
“Më datën 7, në ora 7:30, ka ndodhur një avari. Si pasojë e saj është ndërprerë energjia elektrike për dy njësitë, edhe në flotacion edhe në njësitë e stantërgave në minierë. Si pasojë e kësaj, kanë ngelur të ngujuar 63 punëtorë. Pas kësaj, kemi filluar rregullimin e trafos për me bërë një by-pas, për me i dhënë qasje në minierë. Fatmirësisht, nuk kemi pasur pasoja, minatorët kanë dalë të gjithë shëndoshë e mirë. Para se me ardhë rryma, kanë dalë diku 54 minatorë, diku në ora 02:30. E kemi bërë kyçjen e energjisë elektrike dhe kanë dalë edhe minatorët e tjerë.”
Edhe përkundër këtij problemi, Ahmeti ka thënë se puna në minierë ka vazhduar normalisht. Megjithatë ka theksuar që njësia e flotacionit nuk mund të funksionojë deri në sanimin e plotë të avarisë.
Ahmeti: Puna në minierë po vazhdon normalisht
“Aktualisht, njësia e flotacionit nuk mund të funksionojë deri sa të bëhet rregullimi i kësaj avarie në tërësi, po fatmirësisht ne mund të funksionojmë në minierë. Sot kemi fillu ndërrimi i parë, po zhvillohet punë normale, por flotacioni nuk mundet me funksionu.”
Tutje Kryeshefi i “Trepçës” ka bërë të ditur se një avari e ngjashme ka ndodhur edhe më 14 maj të këtij viti, ndërsa për shkaqet dhe pasojat e avarisë së fundit pritet një raport zyrtar.
Kryeshefi i Trepçës: Më 14 maj kemi pas një avari të ngjashme sikur dje
“Në këtë vit, dhe në maj, më 14 maj kemi pas një avari të ngjashme. Për pasoja nuk mundem me thënë asgjë, sepse nuk e kemi një raport zyrtar që e specifikon deri ku është pasoja. Ka marrë pjesë Policia, zjarrfikësit, Forenzika, për momentin është dhe inspektori KPMM. Do të bëhet një raport zyrtar dhe pastaj mund të flasim për pasojat dhe shkaqet.”
Ai ka treguar se pas avarisë së mëparshme, pra asaj të majit, ndërmarrja kishte pasur pajisje në stok, të cilat janë përdorur për sanimin e problemit, ndërsa aktualisht ato pajisje nuk i kanë më.
Ahmeti: Herën e parë kur ka ndodhë avaria kemi pas pajisje në stok
“Herën e parë kur ka ndodhë avaria kemi pas pajisje në stok dhe kemi mujt me sanu këtë problem jo më shumë se për 7 ditë. Ato pajisje që i kemi pasë i kemi shfrytëzu dhe, fatkeqësisht, nuk i kemi më. Kjo nuk ndërlidhet me minierën, miniera mundet me punu, me funksionu, por ajo xehe nuk mundet me u flotu dhe me u pastru, ajo xehe për shitje.”
Për çështjen e përgjegjësisë, Ahmeti ka thënë se ajo nuk përcaktohet nga ndërmarrja, por nga komisionet e veçanta.
Ahmeti: Sa i përket çështjes së përgjegjësisë, s’mund të them asgjë
“Sa i përket çështjes së përgjegjësisë, nuk mundem me thanë kurgjo. Nuk e përcaktojmë ne përgjegjësinë, janë komisionet e veçanta që e përcaktojnë përgjegjësinë. Ne mund të themi që avaria ka ndodhë, dera është hapë në prezencën e Policisë dhe zjarrfikësve, si dhe dera kryesore.”
Ndërkohë, Ahmeti ka bërë të ditur se “Trepça” do t’i drejtohet me kërkesë KEK-ut për sigurimin e një transformatori dhe ndërprerësve të dëmtuar.
Ai ka thënë se ndërmarrja pret përgjigje nga KEK-u për mundësinë e sigurimit të një trafoje 35 që mund të jetë në stok.
Ahmeti: Do bëjmë kërksë në KEK për sigurimin e një trafoje
“Ne jemi duke ba disa kërkesa në KEK për me na siguru një trafo dhe ndërpresat që janë të djegura.”
“S’mundet asnjë bashkëpunim me minierat tjera me u ba. Ne shpresojmë shumë që të rregullohet kjo avari, besojmë në bashkëpunim me KEK-un. Presim sot gjatë ditës ata me na kthy një përgjigje për trafon 35 që munden me pasë në stok, ne po shpresojmë që KEK-u ka me na përkrahë neve.”
Në fund, Ahmeti ka thënë se avaritë nuk mund të parashikohen, ndërsa ka paralajmëruar krijimin e pajisjeve rezervë për reagim më të shpejtë në raste të ngjashme në të ardhmen.
“Nuk dua me komentu deklaratën e sindikatës për arsye se ata janë të pavarur me deklaru çka të dojnë. Këto avari nuk mund t’i planifikosh, nuk mundesh me ditë kur ka me ndodhë. Fatkeqësisht, neve na ka ndodhë brenda 6 muajve. Këto janë avari të rralla, do të krijojmë pajisje rezervë që çkado që të ndodhë në të ardhmen të aktivizohemi dhe ta sanojmë problemin sa më shpejt që është e mundshme.”
Ahmeti ka theksuar se komunikimi me mediat bëhet vetëm nga kryeshefi i ndërmarrjes.
“I vetmi zyrtar për media është kryeshefi, nuk mundet gjithkush me komuniku me media, kjo është rregull.”
