Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka deklaruar se janë të gatshëm për një marrëveshje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit.
Ai ka bërë të ditur se, në kuadër të kësaj marrëveshjeje të mundshme, ekziston hapësirë për negociata edhe rreth postit të kryetarit të Kuvendit, pozitë që aktualisht mbahet nga Albulena Haxhiu.
Opinionisti Ismail Muçiqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se deklarata e Konjufcës është e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë.
Sipas tij, LVV po kërkon një zgjidhje alternative përmes bisedimeve me LDK-në për zgjedhjen e presidentes së vendit.
“Unë mendoj se deklarata e z.Konjufca është e sinqertë dhe e drejtëpërdrejtë dhe se Vetëvendosja më në fund e ka kuptuar se shkuarja në zgjedhje të reja shkon në dëmë të VetëVendosjes. Andaj Lëvizja VetëVendosje po mundohet të gjejë alternative duke zhvilluar bieseda me Lidhjen Demokratike të Kosovës për ta zgjedhur më në fund Presidentën e vendit”, ka thënë ai.

Ismail Muçiqi
Gjithashtu, Muçiqi ka deklaruar se nuk beson që Vetëvendosja do të shkojë deri në atë masë sa të bëjë rotacion duke e vendosur Haxhiun në postin e presidentes së Kosovës.
“Nuk besoj se Lëvizja VetëVendosje do të kalkuloj deri në at masë që të bëjë rotacion duke e vendosur Albulena Haxhiun në pozitën e Presidentës së Kosovës. Duhet të theme se ndryshimi i pozitave në Parlament dhe në Presidenc e rrezikon sigurimin e votave për zonjën Albulena Haxhiu nga këto parti të cilat me qdo kusht po e bllokojn vendin”, ka shtuar ai.
Ai ka vlerësuar se situata brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës është e paqartë, sidomos pas formimit të kryesisë së re nga Abdixhiku, ku disa figura kanë mbetur jashtë strukturave.
“Mendoj se situate me Lidhjen Demokratike të Kosovës është e pa qartë e sidomos tani kur Lumir Abdixhiku e bëri kryesinë e re të LDK-së duke lënë jashtë strukturave disa figurat të cilat edhe kështu ishin të pakënaqura me pozitat në parti. Andaj me Lidhjen Demokratike të Kosovës tani për tani ekzistojn tri fraksione brenda për brenda partis kështu që është vështirë të arrihet ndonjë ujdi apo marrrëveshje që të gjithë 15 deputetët e Lidhjes Demokratike të votojn për President të ri”, ka përfunduar Muçiqi.
