Lajme

“Tronditëse”, kryeministri Edi Rama reagon mbi sulmin në spitalin e Gazës

Përkrah të gjithë reagimeve të tjera të liderëve botërorë, si kryeministri kanadez Trudeau, apo dhe vetë përfaqësuesit e Bashkimit Europian, mbi sulmin në spitalin e Gazës, ku mbetën të vrarë të paktën 500 njerëz, është shtuar dhe ai i kryeministrit Edi Rama në Twitter.

Rama shkroi se, “Është thellësisht tronditëse të shohësh pamjet e goditjes me bombë të spitalit Al-Ahli në Gaza, ku qindra e qindra njerëz u masakruan e humbën jetën.”

Kreu i qeverisë teksa përmend ligjet ndërkombetare shton se edhe zakonet e luftës nuk i prekin të sëmurit dhe të plagosurit.

“Sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk preken”, shkruan ai.

Referuar deklaratës së kryeministrit Netanyahu se ky sulm u krye nga vetë Hamasi dhe jo Izraeli, Edi Rama tha se, ”Deklarata e kryeministrit Netanyahu se kjo masakër u krye nga vetë Hamasi është drithëruese, por nuk mjafton për ta ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese. Prandaj të gjitha faktet e mundshme duhet të mblidhen dhe të provohet autorësia e kësaj goditjeje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit.”

“Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk mjafton as për t’i mbyllur sytë përballë pamjeve rrënqethëse të gërmadha të spitalit të bombarduar dhe as për t’u mjaftuar me deklaratën shumë tronditëse të kryeministrit të Izraelit.”

Kryeministri e mbylli postimin e tij duke thënë se, “Në këtë luftë Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike është e përcaktuar në anën e Izraelit të goditur barbarisht nga mizoria e terroristëve të Hamasit! Por bota demokratike duhet të jetë po ashtu garante e të vërtetës për qindra e qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza. Prandaj hetimi i fakteve për nxjerrjen e autorëve të kësaj vrasjeje masive dhe dënimi pa asnjë ekuivok i tyre është përgjegjësi e padiskutueshme e detyrim i pashmangshëm i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit.”