ShowBizzz

U gjet i fshehur në tualet, zbardhen detaje nga arrestimi i Joz Markut

Policia ka zbardhur detaje të reja nga arrestimi i këngëtarit Jozefin Marku, i cili u vu në pranga në kuadër të hetimeve për dhunimin e 26-vjeçarit Eduart Kuçi. Bashkë me të është arrestuar edhe një person tjetër, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas Policisë, 30-vjeçari Jozefin Marku është gjetur i fshehur në tualetin e banesës së 31-vjeçarit Kristjan Nikolli. Ky i fundit është arrestuar gjithashtu, ndërsa Anton Huli, 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç, janë shpallur në kërkim.

Për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë bashkëpunuar me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, duke kryer një sërë veprimesh hetimore.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Nikollit, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni. Po ashtu, është sekuestruar një automjet tip “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes. Sipas hetimeve, Kristjan Nikolli dyshohet se ka qenë drejtuesi i këtij automjeti.

Ndaj Jozefin Markut janë ngritur akuzat për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.

Ndërkohë, Kristjan Nikolli akuzohet, ndër të tjera, për “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”.

Nga hetimet e deritanishme, Policia dyshon se Marku dhe personat e tjerë të përfshirë kanë dhunuar Eduart Kuçin me pretendimin se 26-vjeçari kishte fyer njërin prej tyre.

Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa Policia po punon për kapjen e Anton Hulit dhe 27-vjeçarit me iniciale K. V., si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në ngjarje.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme

Të Ngjashme