Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e së martës në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku 46-vjeçari Ismet Habili u gjet pa shenja jete brenda një automjeti.
Mësohet se i ndjeri punonte prej kohësh si shofer i deputetit të Partisë Socialiste, Eduart Shalsi. Ndërsa fillimisht u ngritën dyshime për një atentat të mundshëm, hetimet paraprake të policisë kanë çuar në pistën e vetëvrasjes.
Sipas të dhënave zyrtare, Habili, me origjinë nga Kavaja, nuk rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. Arma e zjarrit me të cilën dyshohet se u ndërmor akti u gjet brenda automjetit, i cili kishte mbetur i ndaluar në vend pas të shtënës. Ekspertiza mjeko-ligjore konstatoi se plumbi kishte hyrë nga pjesa e gojës dhe kishte dalë në kokë, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje.
