Kosova dhe shumica e vendeve të Evropës kalojnë në orën dimërore në natën mes të shtunës dhe të dielës, më 24 dhe 25 tetor.
Akrepat e orës do të kthehen një orë prapa, nga ora 03:00 në 02:00, duke u mundësuar njerëzve të flenë një orë më shumë.
Telefonat dhe kompjuterët do ta bëjnë ndryshimin automatikisht, ndërsa orët mekanike duhet të rregullohen manualisht.
Pas këtij ndryshimi, dielli do të lindë më herët në mëngjes, por edhe do të perëndojë më herët, duke bërë që pasditet të jenë më të shkurtra dhe më të errëta.
Pavarësisht diskutimeve të vazhdueshme, nuk ka shenja se ndërrimi sezonal i orës do të hiqet së shpejti.
Parlamenti Evropian votoi për t’i dhënë fund kësaj praktike në vitin 2019, por vendimi nuk u zbatua për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes shteteve anëtare për mbajtjen e përhershme të orës verore ose dimërore.
Ndryshimi i orës mund të ndikojë përkohësisht në orën biologjike të organizmit, duke shkaktuar lodhje, vështirësi në përqendrim dhe probleme me gjumin.
Më të ndjeshëm ndaj këtyre ndryshimeve janë fëmijët, të moshuarit dhe personat që punojnë me turne.
Ndërrimi i orës u përhap gjerësisht gjatë Luftës së Parë Botërore, me synimin për të kursyer energji.
Megjithatë, sot kursimet konsiderohen të vogla dhe kjo praktikë vazhdon të jetë objekt diskutimi në Evropë.
