Reperi i njohur nga Kosova Capital T ka reaguar publikisht pas publikimit të një audio-incizimi, ku një person që prezantohet si oficer i Policisë së Tiranës dëgjohet duke i kërkuar informacione për vendndodhjen dhe kthimin e tij në Shqipëri.
Telefonata, e publikuar nga Dosja.al, erdhi pas qëndrimit të artistit në mbështetje të protestave studentore.
Pas kësaj ngjarjeje, Capital T ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku ka siguruar ndjekësit se është mirë dhe ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin e tij.
“Jam në suport të studentave, në suport të njerëzve të mi për çdo lloj kauze”, është shprehur reperi, duke theksuar se do të vazhdojë të mbështesë qytetarët që ngrihen për të drejtat e tyre.
Artisti ka treguar se pamjet nga protestat në Shqipëri e kanë prekur emocionalisht dhe se e ka të vështirë të vazhdojë normalisht angazhimet muzikore, ndërkohë që sheh raportimet për përplasjet dhe dhunën ndaj protestuesve.
Ai ka shpjeguar se mbështetja për studentët lidhet edhe me marrëdhënien që ka ndërtuar ndër vite me publikun shqiptar, të cilin nuk dëshiron ta lërë pa mbështetje në një moment të tillë.
Në fund të videos, Capital T ka falënderuar të gjithë ata që e kanë kontaktuar të shqetësuar pas publikimit të telefonatës, ndërsa ka njoftuar se së shpejti do të vijë në Shqipëri.
“Gjithçka është ok, shihemi shpejt në Shqipni, ju dua”, ka përfunduar ai.
