Drejtori i komanduar i Shërbimit Informativ Shtetëror, Elvis Lila pritet të merret në pyetje nga SPAK në ditët në vijim.
Gazetari Arsen Rusta raporton se Lila do të merret në pyetje për një dosje që konsiderohet “Top Secret”, së bashku me Jurgen Kolën, drejtor i operacioneve në Shërbimin Informativ Shtetëror.
Sipas Rustës, rezulton se Kola dhe Lila kanë lënë gjurmë në veprimet e tyre, jo vetëm në terren, por edhe në komunikimet operative lidhur me përdorimin e aseteve të SHISH-it në shërbim të grupeve kriminale.
Gazetari shkruan në rrjetin social Facebook, se në Shërbimin Informativ Shtetëror janë fshirë të dhëna e prova nga kompjuterë. Sipas tij, megjithatë, të dhënat jo vetëm mund të rikthehen sërish me backup por në kohë reale datat janë ruajtur dhe ju e dini përse edhe ku.
Marrja në pyetje e tyre vjen pas arrestimit të ish-drejtueses Vlora Hyseni, si bashkëpunëtore e Ergys Agasit, kreut të grupit të strukturuar kriminal të AKSHI-t. Një ditë pas arrestimit të Vlora Hysenit, kryeministri Edi Rama komandoi Lilën në krye të SHISH, deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri.
Nga ana tjetër, emri i Jurgen Koles është përmendur nga kreu i PD-së Sali Berisha më 23 shtator, kur doli në një konferencë të radhës për mediat. Sipas Berishës, drejtori operativ në SHISH, ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Vlora Hysenit, edhe në raport me biznesmenin e arrestuar tashmë nga SPAK, Ergys Agasin.
“Jurgen Kola ka lokal në Bërzhitë dhe lokali i tij në Bërzhitë ka qenë një nga lokalet ku kjo bënte takimet me ‘bashkëpunëtorin’ e saj, Ergys Agasi. Jurgen Kola është pronari i pasurive të mëdha tokë të blerë në Arbanë.
Sipas informacioneve, Jurgen Kola ka fshirë kamerat e lokalit të tij për të zhdukur gjurmët e takimeve të Vlora Hysenit me Ergys Agasit.
Unë u bëj thirrje hetuesve dhe prokurorëve të çështjes të kontrollojnë kamerat e këtij dhe të hetojnë bashkëpunimin e tij. Ky është një drejtor shumë i rëndësishëm aty”-, shprehej Berisha në konferencë.
