Pasi u zbulua se nuk është mamaja e të riut, Muhamet Skana, i cili u përplas në tokë nga efektivët e policisë, gjatë protestës studentore të mbajtur para Ministrisë së Arsimit, qytetarja ka reaguar sërish për “Aldo Morning Show”.
E prezantuar me emrin Malvina Sula, qytetarja shprehet se në ato momente kur 21-vjeçari u përplas në tokë nga efektivët, ka qenë prezent dhe djali i saj. E pyetur se si quhet djali i saj, Malvina refuzon që t’ia zbulojë emrin duke vazhduar me pretendimet se i biri ishte i veshur me të zeza dhe ishte shumë pranë Muhamet Skanës kur u përplas në tokë e më pas u shkelmua nga efektivët.
Vlen për t’u theksuar këtu se reagimi i qytetares në fjalë ka ndodhur vetëm dy ditë pas paralajmërimit të motrës së Muhamet Skanës e cila i ka treguar asaj derën e gjyqit, për mashtrimin që ka bërë.
“Kjo grua nuk është mamaja jonë. Unë jam motra e Muhametit. Gruaja në fjalë do të ndiqet penalisht për shpifje. TURP” ka shkruar Ester Skana në një postim të bërë në lidhje me incidentin e ashpër të ndodhur me vëllain e saj.
