ShowBizzz

U tall me protestat në “Portokalli” dhe nxiti reagime negative, reagon publikisht Agron Llakaj

Agron Llakaj ka reaguar pas kritikave që kanë qarkulluar në rrjet për një nga rolet në “Portokalli”, ku u satirizuan disa prej personazheve që morën pjesë në protestën e qytetarëve kundër klasës politike.

Në një prononcim për Top Channel, aktori i humorit ka sqaruar se skeçi nuk kishte si qëllim të ironizonte protestën apo mesazhin e saj, por disa prej situatave dhe personazheve që u bënë viralë në rrjet.

“Ato personazhe që ne ngritëm në protestën tonë në ‘Portokalli’ janë personazhe që u bënë virale. U bënë meme po aty në protestë. Dhe me njerëz që kanë abuzuar me protestën duke sjellë skena qesharake. Kjo ka qenë dhe nuk ka asnjë qëllim tjetër”, është shprehur Llakaj.

Ai ka kundërshtuar gjithashtu komentet se përmes humorit është fyer protesta dhe njerëzit që morën pjesë në të.

“Ne nuk shajmë askënd, nuk fyejmë askënd, jo më protestën dhe atë që përfaqëson ajo. Ne jemi artistë të humorit, prodhojmë humor duke përcjellë mesazhe”, ka deklaruar aktori.

Llakaj ka theksuar se satira e “Portokalli” nuk është e drejtuar vetëm ndaj një pale, por prej vitesh ka në fokus zhvillimet politike dhe sociale në vend.

“Ne kemi marrë jetën tonë, Shqipërinë tonë, fenomenet politike e sociale dhe i kemi pasqyruar sipas këndvështrimit tonë. Aty ka qëndrim ndaj mazhorancës, Edi Ramës, opozitës, Sali Berishës”, tha ai.

Në fund, aktori u është drejtuar edhe atyre që e kanë kritikuar numrin, duke u kërkuar ta shohin atë në kontekstin e humorit dhe satirës.

“Qeshni, merreni jetën më me sportivitet. Ne nuk jemi një zë kundër rrymës”, përfundoi Llakaj.

Të Ngjashme