Lajme

U tha se ka kërcënuar Veliajn në burg, reagon për herë të parë Toni Gogu dhe pranon takimin

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas raportimeve lidhur me vizitën e tij në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier dhe takimin me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Përmes një reagimi publik, Gogu konfirmon se e ka takuar Veliajn të premten, duke sqaruar se vizita është zhvilluar në kuadër të përgjegjësive të tij si Ministër i Drejtësisë, me qëllim njohjen nga afër me kushtet e trajtimit dhe dëgjimin e ankesave të ngritura publikisht nga avokati i tij.

Reagimi i Toni Gogut:

Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier.

Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.

Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë.

Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.

Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.

Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.

Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore.

Të Ngjashme