Lajme

Prokuroria kërkon 1 muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e 27-vjeçarit dhe foshnjës së tij në Demiraj të Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi të dyshuar për vrasjen e një 27-vjeçari dhe foshnjës së tij tre muajshe, në fshatin Demiraj të Gjilanit.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 09:00, ndërsa i dyshuari me inicialet B.D., babai i viktimës 27-vjeçar, është ndaluar për 48 orë.

Prokuroria thotë se ka ndërmarrë “të gjitha veprimet e nevojshme” për zbardhjen e rastit.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për hetimin e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, njofton opinionin publik se me datën 01.11.2026, rreth orës 9:00 të mëngjesit nga Policia e Kosovës në Gjilan është njoftuar Prokurori i Shtetit, se në fshatin Demiraj, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast Vrasje e rëndë, ku viktimë janë A.D (27 vjeq) dhe D. D. (foshnje 3 muajsh), ku i dyshuari B.D, babai i viktimës A.D është ndaluar për 48 orë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha ekipet relevante Policore, si dhe Prokurori i Shtetit, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të zbardhjes së rastit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Të Ngjashme