Lajme

U vra para banesës, ja lidhja e ish-policit me Vis Martinaj dhe grupin e Valter Bamit

Ish-policia i burgjeve, Gentjan Bejtja i cili u ekzekutua me armë zjarri sot në Larushk të Fushë Krujës ishte një emër i njohur për policinë e shtetit pasi ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale në të shkuarën.

Bejtja i cili sot u vra në oborrin e shtëpisë së tij në Larushk të Fushë Krujës ishte i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda. Në 9 janar të vitit 2022, Gentian Bejtja ish-polic burgu, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka i cili ndodhej me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti.

Gjithashtu Gentian Bejtja i kishte shpëtuar tre atentateve të mëparshme. Ai njihej edhe në zonë për konfliktet që ka pasur me vëllezërit Bami, Valter dhe Durim Bami. Gjithashtu, burime për mediat bëjnë me dije se Bejtja është marrë në pyetje në lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt.

Gazetarja Etleva Delia për Abc News ka treguar se Bejtja dhe miku i tij Stafuka janë dyshuar se kanë qenë autorët e atentati ndaj ish komisarit Dritan Lamaj. Gjithashtu është pyetur në lidhje me atentatin ndaj nipit të Vis Martinajt në Fushë-Krujë si dhe zhdukjen e Vis Martinajt, si person që ka informacion mbi ngjarjet.

“I ka shpëtuar dy atentateve të tjera ku ka mbetur i plagosur. Në atentatin e tretë, që u ngatërrua objektivi, u vra kunati i tij dhe u plagosën dy djemtë e tij të mitur. Sot autorët kanë këmbëmngulur derisa arritën eleminimin e tij. Ai ka pasur një sërë precedentësh në fakt. Stafuka ishte miku i Gentian Bejtjas, kishin bërë disa ngjarje kriminale bashkë.

Ngjarja e parë që janë dyshuar, ka qenë atentati ndaj ish komisarit Dritan Lamaj. Automjeti i përdorur nga atentatorët ishte vjedhur nga Gentian Bejtja. U arrestuan edhe Bejtja edhe Stafuka, por Bejtja u la i lirë.

Ngjarjet e fundit, hetimet e policisë u orientuan drejt ngjarjes së Fushë-Krujës, ku mbeti i vrarë nipi i Ervis Martinajt dhe u vranë dy shokët e tij.

Ishte person që ishte pyetur në lidhje me zhdukjen e Ervis Marinajt. Ai u mor në pyetje si person që kishte dijeni për ngjarjen. Ka pasur dyshime edhe për ngjarje të tjera, si për atentatin ndaj Marklen Haklës, nga Nikla e Fushë-Krujës. Njihej edhe për problemet që ka pasur me vëllezërit Bami, Valter dhe Durim Bami.”

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo