Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka theksuar se LDK-ja dhe UÇK-ja janë pjesë e rrugëtimit të përbashkët të shqiptarëve të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ai ka vlerësuar se historia duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve, pa përvetësim politik të meritave, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit, drejtësisë dhe ndërtimit të një shteti demokratik e funksional.
Shkrimi pa ndërhyrje:
LDK, UÇK,
Për ta kuptuar të tashmen, duhet ta njohim historinë tonë në tërësinë e saj. LDK-ja dhe UÇK-ja nuk duhen parë si projekte të ndara, por si pjesë të një rrugëtimi të përbashkët të shqiptarëve të Kosovës për liri.
LDK-ja, nën udhëheqjen e Presidentit historik Ibrahim Rugova, u shndërrua në një lëvizje gjithëpopullore, organizoi rezistencën paqësore, ndërtoi institucione paralele dhe e mbajti gjallë aspiratën për liri, pavarësi e shtetformim. Në themelimin dhe zhvillimin e saj kontribuuan njerëz me përvoja e bindje të ndryshme politike, përfshirë veprimtarë të organizimeve të mëhershme, si NDSH-ja, LPK-ja dhe LKÇK-ja.
LDK-ja, që në fillim të viteve ’90, nisi angazhimet e para për organizimin e rezistencës dhe të mbrojtjes, përmes shtabeve lokale, strukturave të mbrojtjes territoriale, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në këtë rrugëtim u zhvillua edhe UÇK-ja, si shprehje e rezistencës së armatosur dhe e përpjekjes për çlirimin e Kosovës. Ajo ishte produkt i realitetit politik e shoqëror të kohës, i veprimtarisë së organizimeve të ndryshme politike, përfshirë LDK-në, LPK-në dhe LKÇK-në, si dhe i nevojës për t’iu përgjigjur represionit dhe bindjes se liria kërkonte edhe luftë të armatosur. Edhe këtu, njerëz me përvoja të ndryshme politike e atdhetare u bashkuan rreth aspiratës për çlirim.
Prandaj, LDK-ja ishte projekt i përbashkët politik i shqiptarëve të Kosovës, ku kontribuuan edhe organizimet e mëhershme. Po ashtu, UÇK-ja u zhvillua në këtë vazhdimësi historike, me kontributin e njerëzve nga përvoja të ndryshme politike, përfshirë edhe ata që vinin nga LDK-ja. Kjo nuk i mohon dallimet në organizim dhe strategji, por i vendos ato në kontekstin e qëllimit të përbashkët: çlirimin e Kosovës.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një produkt historik shumë më kompleks sesa përpiqen ta paraqesin disa sot, të cilët synojnë edhe ta përvetësojnë politikisht. UÇK-ja është krijesë e popullit të Kosovës dhe në themelet e saj është edhe LDK-ja, ashtu siç ajo ka qenë pjesë e themeleve të çdo lëvizjeje për liri dhe pavarësi që nga themelimi i saj.
Lufta dhe rrugëtimi drejt lirisë u zhvilluan në rrethana jashtëzakonisht komplekse, nën represionin serb dhe në një mjedis ndërkombëtar që po ndryshonte me shpejtësi. Krahas sakrificave dhe kontributeve që duhen nderuar, pati edhe gabime, përplasje dhe plagë që kërkojnë drejtësi. Ndërhyrjet e jashtme, ambiciet politike dhe vështirësitë e kalimit drejt pluralizmit e shtetformimit ndikuan në zhvillimet e kohës. Kjo histori duhet studiuar mbi bazën e fakteve, pa paragjykime dhe pa standarde të dyfishta.
Çdo përpjekje për ta ndarë artificialisht LDK-në nga UÇK-ja apo për ta përvetësuar ekskluzivisht meritën e lirisë e dëmton të vërtetën historike dhe bashkëjetesën politike. Përvojat tona na mësojnë se përçarjet kanë prodhuar pasoja të rënda, ndërsa bashkëpunimi rreth interesave të përbashkëta ka qenë domosdoshmëri kombëtare.
Sot, sfida jonë është ta shndërrojmë Kosovën në një shtet demokratik, funksional dhe të zhvilluar. Kjo kërkon institucione të forta, drejtësi të pavarur, ekonomi që krijon mundësi, arsim cilësor dhe lidership që e vendos interesin shtetëror mbi kalkulimet partiake. Në një mjedis ndërkombëtar që vazhdon të ndryshojë, Kosovës i duhen vetëdije strategjike, partneritete të qëndrueshme dhe unitet rreth interesave afatgjata.
Detyra jonë është t’i njohim vlerat, ta pranojmë historinë, t’i identifikojmë gabimet dhe ta ndërtojmë të ardhmen mbi një vizion të përbashkët.
Liria është trashëgimi e përbashkët, shteti është përgjegjësi e të gjithëve dhe e ardhmja është detyrim ndaj brezave që vijnë. Kosovës i duhet lidership që e përdor historinë për të bashkuar, jo për të ndarë; përfaqësim që ndërton besim e dinjitet; dhe politikë që i njeh kontributet pa i përvetësuar ato.
Historia na tregon rrugën deri te liria. Përgjegjësia jonë sot përcakton se çfarë shteti do t’u lëmë brezave që vijnë.
