Ish-deputeti i LDK-së, Fetah Rudi, ka reaguar ndaj kritikave që po i bëhen LDK-së për mosvotimin e ligjit për Specialen.
Rudi ka kujtuar edhe sulmet ndaj veprimtarëve të LDK-së ndër vite, ndërsa ka rrëfyer se 26 vite më parë ishte plagosur për shkak të angazhimit të tij politik dhe se ende pret drejtësi.
“LDK-ja ka kaluar shumë dhe ka mbijetuar shumë”, ka shkruar Rudi, duke theksuar se partia, sipas tij, mbetet pjesë e historisë së shtetit të Kosovës.
Postimi i plotë:
Fatkeqësisht, kjo logjikë e etiketimit dhe e linçimit politik nuk është e re.
LDK-ja është sulmuar edhe më parë me të njëjtën gjuhë, me etiketime, urrejtje dhe linçime. Dhe të gjithë e dimë se ku çoi ajo mendësi. U vranë veprimtarë të LDK-së, njerëz që kishin vetëm një “faj”: bindjet e tyre politike, besnikërinë ndaj Kosovës dhe qëndrimin besnik ndaj vizionit të Presidentit Ibrahim Rugova.
Unë e di më së miri se çfarë do të thotë të paguash për bindjet e tua. Për shkak të angazhimit tim në LDK, para 26 vitesh u plagosa dhe që nga atëherë jetoj në karrocë. Edhe sot, unë dhe familja ime presim drejtësi.
LDK-ja ka kaluar shumë dhe ka mbijetuar shumë. Ka humbur njerëz, ka derdhur gjak dhe ende pret drejtësi. Nuk duhet dhe nuk lejojmë që historia të harrohet.
LDK-ja ka qenë, është dhe do të mbetet pjesë e historisë së shtetit të Kosovës.
