Lajme

Universiteti Veror sjell profesorë e studentë nga bota në Prishtinë

Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës ka vazhduar aktivitetet me ligjërata dhe punëtori të udhëhequra nga profesorë të universiteteve prestigjioze ndërkombëtare. Programi synon shkëmbimin e njohurive dhe përvojave mes studentëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë në fusha të ndryshme akademike.

Në Fakultetin e Arkitekturës një kurs intensiv po e mban profesori dhe studiuesi leton i njohur në fushën inxhinierisë elektrike, Antons Patlins.

Nga Universiteti Riga Technical, ai po sjell përvojën e tij në Universitetin Veror të Prishtinës, para studentëve vendorë dhe ndërkombëtarë, duke shpjeguar metodat kreative për mbrojtje të temës së diplomës, duke përfshirë edhe zhvillimin e aftësive të komunikimit e menaxhimit të stresit, për një prezantim të suksesshëm të punimit final.

Në mesditë profesorë e studentë u mblodhën para Bibliotekës Kombëtare për një fotografi të përbashkët. Disa Prishtinën e njohin mirë, e të tjerë janë kureshtarë për gjithçka, duke qenë se janë për herë të parë në Kosovë.

Bluzen e Cyber Team Kosova, e pati të veshur, një nga emrat më të njohur amerikan në fushën e sigurisë kibernetike dhe forenzikës digjitale,Josh Brunty, ligjërues në Universitetin Marshall. Ai e vlerëson të jashtëzakonshme marrëdhëniet ndërmjet dy popujve dhe mundësitë për t’i ndarë përvojat për ndërtimin strategjive të përbashkëta mbrojtëse.

“Siguria kibernetike është një sfidë globale. Nuk është problem vetëm i Kosovës apo i Shteteve të Bashkuara. Dua t?u përcjell studentëve këtu njohuritë dhe përvojën që kemi në SHBA, por njëkohësisht dua të mësoj edhe nga ta, në mënyrë që atë përvojë ta çoj me vete dhe ta ndaj me studentët në Shtetet e Bashkuara. Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Kosovën dhe duam të ndihmojmë sa më shumë që mundemi. Jemi të gatshëm të ndajmë strategjitë tona për mbrojtjen kibernetike dhe përgatitjen për garat ndërkombëtare”, tha 

Gati për ligjëratën e saj është edhe profesoresha shqiptare nga Mali i Zi e lindur dhe rritur në Detroit. Suzana Vuljeviq, është profesoreshë në Universitetin DePaul University në Çikago, pjesë e programeve që lidhen me studimet shqiptare dhe Evropën Juglindore.

Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës, nisi punimet dje dhe do të vazhdojë aktivitetet akademike gjatë ditëve në vijim, duke sjellë në kryeqytet studentë dhe profesorë nga vende të ndryshme të botës. Përmes ligjëratave, diskutimeve dhe shkëmbimeve mes studentëve e profesorëve ndërkombëtarë, Prishtina ndër vite në verë, shndërrohet në një pikëtakim të studiuesve nga universitete prestigjioze ndërkombëtare që sjellin perspektiva të ndryshme mbi shkencën, shoqërinë, teknologjinë dhe sfidat globale.

Të Ngjashme