Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur një masë sigurie për një ngastër prej 68 ari në histori të fakulteteve teknike, e cila është komunale në dosje të Universitetit të Prishtinës.
Universiteti i Prishtinës ka mirëpritur këtë vendim, duke theksuar se Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë, ka vendosur masë sigurie mbi 68 ari në zonën e fakulteteve teknike, transmeton KosovaPress.
“Që nga fillimi i mandatit, rektori Arben Hajrullahu ka qenë i vendosur për mbrojtjen e pronës universitare, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çdo përpjekje për tjetërsimin e saj në dëm të interesit publik”, thuhet në reagimin e UP-së.
Për këtë vendim të marrë më 24 gusht, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore, ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli.
Pacolli ka mirëpritur vendimin e Gjykatës e cila i ka vendosur masë sigurie për një hapësirë mbi 68 ari në zonën e Fakulteteve Teknike, për cilën sipas saj, kishte pasur përpjekje për tjetërsim.
“Me këtë vendim, prona publike e Universitetit të Prishtinës po mbrohet nga rreziku i tjetërsimit”, shkruan Pacolli në Facebook.
Sipas saj, kjo çështje është ngritur dhe trajtuar në kuadër të punës së Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, nën udhëheqjen e saj si kryetare e këtij komisioni dhe me mbështetjen e kolegëve të tjerë deputetë.
“Kontributi i secilit deputet ka qenë shumë i vlefshëm në adresimin e kësaj çështjeje, e sidomos puna dhe angazhimi i ish-deputetit Milazim Salijaj, me të cilin kemi kërkuar që pretendimet dhe dyshimet lidhur me këtë pronë të hetohen dhe të trajtohen nga institucionet kompetente”, shkruan ajo.
Vendosja e masës së sigurisë për këtë pronë mbi 68 ari, ajo tha se është një hap i rëndësishëm në mbrojtje të pasurisë publike.
“I gëzohem këtij zhvillimi dhe do të vazhdoj të angazhohem që pronat publike të mbrohen me ligj dhe me përgjegjësi institucionale” shkruan ajo.
Universiteti i Prishtinës shpreh mirënjohjen e tij për punën e ish-Komisionit Parlamentar dhe për faktin që kjo çështje është ngritur dhe adresuar institucionalisht. Në mënyrë të veçantë, UP-ja falënderon ish-deputeten Fitore Pacolli dhe Milazim Salijaj për angazhimin e tyre në trajtimin e këtij rasti dhe për kontributin në nxjerrjen në pah të çështjeve që kërkonin hetim dhe trajtim nga institucionet kompetente.
“Mirënjohje të veçantë Universiteti i shpreh edhe sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, institucioneve të hetuesisë dhe të gjithë zyrtarëve që, në kuadër të përgjegjësive të tyre ligjore, kanë kontribuar në trajtimin e këtij rasti”, thuhet në reagimin e UP-së.
