Lajme

Ushtria amerikane nis sulmet ndaj objekteve të lidhura me Iranin në Siri

Ushtria amerikane ka nisur sulme ajrore në dy lokacione në Sirinë lindore të lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC).

Sulm ky u bërë mes frikës në rritje se lufta midis Izraelit dhe Hamasit mund të përshkallëzohet në një konflikt rajonal.

Shtetet e Bashkuara thonë se kanë goditur dy objekte në Sirinë lindore, duke pretenduar se ato janë përdorur nga forcat iraniane dhe grupet e lidhura me to.

Në një deklaratë, sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se “sulmet precize të vetëmbrojtjes” u kryen për të mbrojtur personelin amerikan në Irak dhe Siri dhe ishin në përgjigje të sulmeve të fundit nga grupet e milicisë të mbështetur nga Irani.

Sulmet goditën një objekt të ruajtjes së armëve dhe një objekt të ruajtjes së municioneve të përdorura nga IRGC dhe milicia që ajo mbështet.

“Këto sulme të mbështetura nga Irani kundër forcave amerikane janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. Irani dëshiron të fshehë dorën e tij dhe të mohojë rolin e tij në këto sulme kundër forcave tona. Ne nuk do t’i lejojmë,” tha ai, duke shtuar se ata do të marrin masa të mëtejshme nëse sulmet  kundër forcave amerikane vazhdojnë.

Sulmet e SHBA-së ishin “të ndara dhe të dallueshme nga konflikti i vazhdueshëm midis Izraelit dhe Hamasit dhe nuk përbëjnë një ndryshim në qasjen tonë”, shtoi Austin, ndërsa tha se nuk duhet të kryhen veprime që do të përshkallëzonin më tej konfliktin.