
Grace Springer, vajza që regjistroi dhe publikoi në rrjetet sociale videon virale nga koncerti i grupit Coldplay në Boston, ka thyer heshtjen për herë të parë në një intervistë për televizionin britanik “This Morning”.
Në pamjet që bënë xhiron e rrjetit, vokalisti Chris Martin drejton kamerën e “Kiss Cam” drejt publikut, duke përfshirë një moment intim mes Andy Byron, CEO i kompanisë teknologjike “Astronomer”, dhe Kristin Cabot, shefe e burimeve njerëzore të së njëjtës kompani.
Dyshja, të cilët përpiqen të shmangin kamerën, u identifikuan shpejt, ndërsa zbulimi i afërsisë së tyre shkaktoi reagime të forta, pasi Byron rezultoi i martuar.
Pas publikimit të videos dhe presionit të opinionit publik, Byron dha dorëheqjen nga posti i tij, ndërsa kompania u shpreh në një deklaratë se:
Liderët tanë duhet të jenë shembull në sjellje dhe përgjegjësi – një standard që nuk u përmbush në këtë rast
Në intervistën e saj, Grace theksoi se nuk e kishte qëllim të ekspozonte askënd.
“E mbajta telefonin lart sepse doja të regjistroja momentin, ndoshta të shihja veten në ekranin e madh. Në atë moment nuk mendova shumë, por më vonë, kur e analizuam me shoqërinë, kuptuam se dukej shumë e dyshimtë”.
E pyetur nëse ndihet fajtore për pasojat që solli videoja, ajo u shpreh:
“Më vjen shumë keq për bashkëshorten e Andyt dhe për familjen e tij. Por ishin mbi 50 mijë njerëz në koncert – nuk isha e vetmja që e xhirova. Nëse nuk do ta publikoja unë, do ta bënte dikush tjetër”.
Grace gjithashtu theksoi se nuk ka përfituar asgjë financiarisht nga përmbajtja virale.
“Videoja nuk është monetizuar. Nuk kam fituar asnjë qindarkë”, u shpreh ajo.
Ngjarja ka ndezur debate të shumta në rrjet për etikën e filmimeve në publik, kufijtë e privatësisë dhe përgjegjësinë e figurave publike në pozita të rëndësishme.