Tre varreza masive janë konfirmuar në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut, pas përfundimit të gërmimeve dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore.
Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, në këto lokacione janë gjetur mbetjet e 23 personave, të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.
Tashmë procesi do të vijojë me ekzaminimet mjekoligjore dhe identifikimin e viktimave përmes analizës së ADN-së.
“Pas përfundimit të aktiviteteve në terren, procesi vazhdon me ekzaminimet mjekoligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe identifikimin përmes analizës së ADN-së, me qëllim të konfirmimit të identitetit të viktimave dhe për të pasuar me hapat e mëtejme sipas procedurave përkatëse përfshirë informimin zyrtar të familjeve”, u thuhet në njoftimin e Komisionit.
Analisti politik, Gani Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Serbia po shmang zbardhjen e fatit të personave të vrarë gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Gani Mehmeti
Ai e ka cilësuar këtë si një veprim me motive politike dhe se çështja e personave të pagjetur është pjesë e një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.
“Edhe pasi u bombarduan të caqet ushtarake e policore serbe nga NATO në luftën e vitit 1999, që çoi deri në Marrëveshjen e Kumanovës 1999, për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova, për çka i gjithë populli i Kosovës i është mirënjohës NATO-s, SHBA-ve dhe të gjitha shteteve tjera, anëtare të NATO-s, me ardhjen e UNMIK-ut në Kosovë, Serbia pas lufte pati një ndikim mjaft të madh në Kosovë pikërisht me ndihmën e UNMIK-ut.
Serbia është duke i ikur me të madhe gjetjes së trupave të vrarë në luftën e vitit 1999. Kjo është duke u bërë për qëllime të saja politike, që në një mënyrë, reflekton edhe si lojë me këta trupa, me familjet e tyre, me Kosovën dhe me ndërkombëtarët, sepse është një marrëveshje nga viti 2016 e dalë prej bisedimeve Kosovë – Serbi, për gjetjen dhe zbulimin e këtyre varrezave masive të shqiptarëve”, ka thënë ai.
Gjithshtu, Mehmeti ka akuzuar Serbinë se jo vetëm që nuk po bashkëpunon për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, por, po e pengon këtë proces.
“Mirëpo, Serbia, jo vetëm që nuk bashkëpunion në gjetjen e fatit të këtyre varrezave, por e pengon atë. Kjo u pa me zbulimin e tri varrezave në Zubin Potok, ku kryetari serb, Aleksandër Vuçiq, e minimizoi këtë, duke e anashkaluar tërësisht dhe duke u marrë me Rashkoviqin, se gjoja policët e Kosovës e paskan maltretuar atë, për çka nuk u besohet fare të dhënave serbe, sepse ata janë mjeshtër të inskenimeve, ashtu si u konvenon atyre.
Këtu qëndron e tëra ajo që e ka thënë Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sfeçla, se vetë kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për t’i ikur zbulimeve të tri varrezave masive, 71 armëve të gjata e armë të tjera, ai merret me serbin Rashkoviq, se gjoja e paskan maltretuar rëndë policët e Kosovës. Dhe, sa i përket Rashkoviqit, policia e Kosovës është duke e hetuar rastin, për çka është me të drejtë, por çfarë t’i bëhet Serbisë dhe Vuçiqit që për plot 27 vite mëshehin trupat e pajetë të shqiptarëve të vrarë nga njësitë ushtarake e policore serbe, çfarë iu duhen këta trupa, apo mos po përpiqen të minimizojnë edhe këtë, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ku e kanë qëllimin në lojë me trupat e pagjetur. Përse heshtin ndërkombëtarët? Ata do duhej të ishin shumë më aktiv dhe t’i vënin kushte për këtë. Kjo e keqe e madhe e saj, do duhej të merrte fund shumë kohë përpara, jo të pritej deri tani. Kjo nuk do e dobësonte shtetin serb, se ata trupa nuk do ngrihen të marrin armët kundër Serbisë, këta ishin civilë, prandaj përse nuk ua dorëzon familjeve të veta që të dinë për më të dashurin e më të afërmin e tyre, të paktën t’ua dërgojnë nga një lule një herë në vit në shenjë përkujtimi, dashurie, mungese e malli për ta”, ka theksuar ai.
Ai ka ngritur pyetje lidhur me heshtjen e komunitetit ndërkombëtar për këtë çështje, duke kërkuar një angazhim më të madh për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
“Këtë po e përdor Serbia për dezinformim te opininoni ndërkombëtar dhe partenrët e Kosovës në përpjekje të ndikimit të saj kundër Kosovës. Por, ne mendojmë se, ndërkombëtarët tani e johin mirë se kush është Serbia, dhe vetëm sa mund ta tregojnë fytyrën e saj, e nuk do të mund të ndikojnë në asgjë dhe për asgjë.
BE-ja dhe shtetet perëndimore do duhej ta vendosin Serbinë para përgjegjësisë për të bashkëpunuar plotësisht në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur sa më parë, deri sa të gjenden të gjithë trupat shqiptarë që u mungojnë familjeve dhe Kosovës. Nuk duhet të lejohen më lojëra të tilla me ndjenjat e shqiptarëve, për trupat e familjarëve të tyre”, ka përfunduar Mehemti.
